Mirditë, digjen 60 ha pasi vuri zjarr pranë banesës së tij, prangoset 66-vjeçari

I vuri zjarrin një zone të pyllëzuar, kapet pas disa orësh ndjekjeje nga policia e Mirditës autori i dyshuar i ngjarjes.

Ai është një 66-vjeçar me inicialet M. N., banues në fshatin Simon, Mirditë, cili është larguar nga vendngjarja pasi vuri zjarrin.

Ndërkohë, zjarri doli jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet "Laskaj", "Hija e Laknave" dhe "Kodra e Muknezhës".

''Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Simon, Mirditë, kishte rënë zjarr, i cili kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe me pyje, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë identifikuar autorin e dyshuar të zjarrvënies, shtetasin M. N., 66 vjeç, banues në fshatin Simon, Mirditë, i cili është larguar nga vendngjarja, por është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë, pas disa orësh ndjekjeje. Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet "Laskaj", "Hija e Laknave" dhe "Kodra e Muknezhës". Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 60 ha sipërfaqe pylli me dru lisi.'' - njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.