Mjekët e Traumës sërish në protestë: Terror për bluzat e bardha, të gjithë të frikësuar nga situata

Për të dytën ditë radhazi mjekët e spitalit të Traumës në tiranë po protestojnë për arrestimin e dy kolegëve të tyre.

Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi informon se mjekët kanë sërish të njëjtën kërkesë ashtu si ditën e djeshme.

Ata kërkojnë që mjekët mos trajtohen si kriminelë por të hetohen në gjendje të lirë duke iu referuar rastit të Velipojës.

Sipas tyre zgjidhje për të gjitha rastet e evidentuara të korrupsionit në vend nuk është burgosja por duhet të ketë një reformë rrënjësore.

Sipas tyre problem është sistemi dhe jo individi. Ata kanë deklaruar se në rast se nuk do të zgjidhet problemi i tyre ata do të përshkallëzojnë protestën dhe do të ketë hapa të tjerë.

"Sot jemi mbledhur përsëri për të njëjtën gjë, ne jemi në përkrahje të dy mjekëve që po mbahen në arrest me burg. Ne e konsiderojmë këtë veprim të drejtësisë të pajustifikuar. Marrja e tyre në arrest me burg është bërë në dyshimin që drejtësia ka në bërjen e një vepre korruptive. Kjo është e pabazuar në prova. Deri në momentin kur drejtësia të vërtetojë provat këta njerëz nuk ka pse të qëndrojnë në burg. Ne u mblodhëm për të njëjtin fakt sepse solidarizohemi me mjekët të cilët po mbahen në mënyrë abuzove në burg. Imagjinoni se çfarë terrori po shkaktohet tek mjekët të cilët pretendojnë të bëjnë punën e tyre sa më korrekte. Të gjithë janë të frikësuar sepse pas operacionit duhet t'i shpjegojnë se çfarë ka ndodhur në operacion dhe tani kjo duhet mos ndodhë. " tha mjeku Gent Stroni.