Lushnja pa kryetar bashkie, Rama shkarkon Fatos Tushen pas arrestimit me urdhër të SPAK
Kryeministri Edi Rama ka firmosur shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, një ditë pas arrestimit të tij me urdhër të SPAK. Sipas detajeve të reja nga dosja hetimore, denoncimi për Tushen dhe vartësit e tij është bërë një vit më parë në korrik 2020 nga policia e shtetit. Kjo e fundit dyshonte për tendera fiktivë dhe abuzime me karburantin në bashkinë e Lushnjes.
Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, u shkarkua nga detyra një ditë pasi SPAK njoftoi arrestimin e tij me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit në tendera.
Me vendimin e datës 6 korrik por që publik u bë vetëm sot me 7 korrik, Këshilli i Ministrave ka vendosur të largojë nga detyra të zgjedhurin e PS.
Propozimi për këtë vendim është bërë nga Ministri i Brendshëm dhe motivacioni janë shkeljet e rënda në detyrë.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Ndërkohë në lidhje me hetimet për abuzimin në tendera, është bërë publike edhe një pjesë e dosjes, ku thuhet se Fatos Tushe dhe shtetasi Flamur Peqini me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në bashkëpunim edhe me zyrtarë e persona të tjerë kanë favorizuar kompaninë Euro Alb shpk me administrator shtetasin Bujar Murati në prokurimin për rehabilitimin e kanalit ujitës të fshatit Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë, me fond 28.5 milionë lekë.
Hetimi ka evidentuar se edhe pse kjo firmë është shpallur fituese dhe me të është lidhur kontrata më datë 11 nëntor 2020, përfitimin dhe punimet në fakt i ka kryer Ibrahim lami, i cili është lidhje e ngushtë e kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqini.
Në dosje sqarohet se hetimi për kryebashkiakun e Lushnjes ka nisur që në datën 22 korrik 2020 pas një referimi të policisë së shtetit.
Në kallëzim policia shpjegonte fillimisht se shtetasi Flamur Peqini, drejtor në Bashkinë e Lushnjes, kryente procedura fiktive dhe korruptive me tenderat, duke përmendur si rast konkret vendosjen e shtyllave të elektrikut para zhvillimit të tenderit.
Policia e ka denoncuar këtë shtetas edhe për shpërdorimin e karburantit në sektorin që drejtonte.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
VENDIMNr. 407, datë 6.7.2021PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË LUSHNJË, Z. FATOS TUSHENë mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Lushnjë, z. Fatos Tushe.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.KRYEMINISTËREdi Rama

