Thirrjet e partnerëve ndërkombëtarë në 'vesh të shurdhër', Kuvendi voton kreun e ri të AMA-s

Parlamenti injoroi thirrjen e OSBE-së dhe Ambasadës britanike për transparencë dhe thirrjen e BE-së për ta shtyrë në shtator, duke votuar me 83 vota Armela Krasniqin në krye të AMA-s. Gjithashtu në seancën e fundit, Taulant Balla, njoftoi se në shtator do të shtyhet mandati i anëtarëve të Komisioneve të Vettingut si dhe do të nisë diskutimi për ndryshime në reformën zgjedhore.

Pavarësisht thirrjes së BE-së për ta shtyrë votimin në legjislaturën e ardhshme, dhe thirrjes së OSBE-së dhe Ambasadës britanike për transparencë,  mazhoranca socialiste nuk u tërhoq, duke miratuar drejtuesin e ri të Autoritetit të Aediave Audiovizive (AMA).    

Armela Krasniqi u votua me 83 vota pro, duke zëvendësuar në detyrë Gentian Salën.

Votimin e Krasniqit e paralajmëroi dhe Basha, duke akuzuar Ramën se "injorimi" i partnerëve nuk tregon forcë por harbutëri në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Mandati i anëtarëve të Komisioneve të vettingut dhe zgjedhorja në shtator

Në seancën e fundit për këtë legjislaturë, sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, njoftoi se në  shtator do të shtyhet mandati i anëtarëve të Komisioneve të Vettingut.

"Zgjedhjet e 25 prillit ishin që shqiptarëve që jetojnë jashtë të mos kenë mundësi për të votuar nga vendet ku jetojnë.  Unë ju falënderoj juve, deputetët e opozitë parlamentare, që keni mbështetur ccdo ligj të reformës në drejtësi. Shpresoj që të jemi këtu edhe në shtator dhe këtë standard ta ndjekin edhe ata që vijnë në Kuvend.  E rëndësishme është që të shtator të kemi një klimë politike që ka përqasjen e duhur për momentin ku ndodhet Shqipëria. Të mos harrojmë se në Presidencën sllovene nuk ka më asnjë dyshim për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Gjithkush ka një detyrim për të dhënë kontributin për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa", tha Balla.

Taulant Balla, tha se në legjislaturën e ardhshme  duhet të vazhdoje tradita  parlamentare që për çështjet që kanë të bëjnë për reformën në drejtësi nuk ka nevojë për shumë debat e as për shumë negociata.   

Gjithashtu Balla tha se sapo Kuvendi i ri të fillojë punën, një Komision i Posaçëm i reformës zgjedhore do duhet të adresojë një sërë çështjesh dhe për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe garantimin e votës së shqiptarëve jashtë kufijve.