Velipojë/Prag tragjedie nga bombola e gazit, nëna me 3 fëmijë plagosen nga shpërthimi në hotel
Prag tragjedie në një hotel në Velipojë, ku shpërthimi i një bombole gazi ka lënë të plagosur katër anëtarët e familjes që ka objektin në pronësi. Nëna dhe tre fëmijët sipas burimeve kanë djegie në rreth 90 % të trupit ndaj janë sjellë për trajtim të specializuar në Tiranë. Sipas të afërmëve të familjes Gjoka, shpërthimi ndodhi në kohën kur ata po përgatisnin kafen e mëngjesit.
Shpërthimi i një bombole gazi në një hotel në Velipojë la të plagosur rëndë katër anëtarë të familjes që e ka në pronësi, duke rrezikuar të prodhojë një tragjedi.
Nëna dhe tre fëmijët, Alketa Gjoka 40 vjeç, Klarisa Gjoka 15 vjeç, Danjela Gjoka 18 vjeç dhe Enriko Gjoka 12 vjeç u dërguan me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës.
Prej aty për shkak të djegieve të forta u transferuan në kryeqytet me helikopter.
Kryeinfermierja e Velipojës e cila ju dha ndihmën e parë, Vjollca Voci, thotë se ato kanë marrë djegie në 90% të trupit.
"Djegie 85-90%".
Familja nga Lezha kishte mbërritur në hotelin që kanë në pronësi për ta bërë gati për sezonin, pasi i ndodhur në një distancë më të largët me bregdetin, atje pushuesit mbërrijnë më vonë.
Pronarja po përgatiste kafen e mëngjesit
Zef Zefi, i afërm i familjes, tregon se shpërthimi u shënua ndërsa 40-vjeçarja po përgatiste një kafe për mëngjes.
"Dola të blej bukë dhe kur erdha rrugës e dëgjova shpërthimin, kur erdha shoh tymin. Kur vi këtu i gjej të gjithë në pishinë, e kam mik, vëllai i gruas. Më tregoi gruaja, janë ngrit në mëngjes si çdo ditë, ka marrë me pjek kafen në një bombol gazi të vogël dhe sa e ka ndezur ka shpërthyer. Këto bombolat e vogla, si duket ka pasur rrjedhje.
Gjendja e të plagosurve është shumë e rëndë, sa i nisëm me helikopter. Kanë djegie komplet. Them se u ka bërë mirë uji por dikush thotë se nuk u ka bërë mirë se u ka hequr lëkurën. Ishalla u ka bërë mirë uji. Kishin ardhur mbrëmë.Burrin e ka në Itali nusja e mikut. Kishin ardhur me pastru hotelin me fillu sezonin. Kanë pastru mbrëmë, në mëngjes janë ngritur me bë një kafe".
Magazina plot me bombola
Në magazinë, në pjesën e pasme të hotelit, ka patur një numër të konsiderueshëm bombolash dhe një çisternë gazi, një pjesë e të cilave kanë shpërthyer sipas grupit hetimor.
Shpërthimi duket të kenë i fuqishëm, pasi i gjithë kati i parë i hotelit është shkatërruar dhe orenditë e këtij objekti kanë fluturuar jashtë.
Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë bërë të mundur nxjerrjen e 5 bombolave të pa plasura, duke shmangur pasoja edhe më tragjike të kësaj ngjarje.
Shpërthimi i bombolave të gazit është një fenomen që përsëritet në vendin tonë, ndërsa masat e institucioneve mbeten minimale.
Në Velipojë 4 vite më parë një tjetër shpërthim i çisternes së gazit la pas 2 viktima dhe 2 të plagosur.




