Tenderi 1.2 mln euro në Lushnje, në parlament denoncohet shtrimi i tubave: Shuma kolosale për 1 km
Një tjetër tender është denoncuar në bashkinë Lushnje.
Këtë radhë nuk ka qenë SPAK por është deputeti Myslim Murrizi që ka kërkuar nga foltorja e parlamentit hetimin e kësaj procedure.
Në fakt bëhet fjalë për tubacionet e stacionit të pompimit Gajde me vlerën 157.6 milionë lekë të reja
Murrizi: E ftoj SPAK të gërmojë pak më poshtë, Ai që është arrestuar dje ka qenë drejtor i prokurimeve publike të partisë së tyre. Meqë e nisi nga Lushnja. Si duket bëri efekt kritika me të drejtë. SPAK të mos merret vetëm me këtë tender. Kam denoncuar publikisht tendera para fushate. 1.5 mln euro një zorrë uji. Sa kryetarë bashkie, drejtorë të KESH do ikin nëse SPAK do hetojë. Këtu ftohet Luli, teshtin Rama, ftohet Rama, teshtin Luli. Faleminderit dhe suksese ju të zgjedhurve, atyre që do i shpëtojnë SPAK-ut. Të bëjnë më të mirën për shqiptarët dhe të mos bëjnë sikur zihen me njëri tjetrin.
Por për çfarë tenderi bëhet fjalë?
Sipas dokumenteve një procedurë për ‘Rikonstruksioni e linjës kryesore të furnizimit me ujë nga stacioni i pompimit Gajde në stacionin e pompimit Toshkëz është hapur në mars të këtij viti me një fond limit 157.6 milionë lekë të reja.
Pjesëmarrëse rezultojnë tre kompani, dy prej të cilave janë skualifikuar nga ujësjellës kanalizime Lushnje me argumentin se nuk plotësonin kriteret.
Kështu i vetmi i mbetur në garë e automatikisht i shpallur më pas edhe fituesi është kompania Shkëlqimi 07 sh.p.k me ofertën prej 154 milionë lekë.
Ky subjekt i krijuar në vitin 2007 është nën administrimin dhe pronësinë e Shkëlqim Kapllanaj.
Në dokumentet zyrtare bëhet me dije se firma që do nënshkruante kontratën duhet të shtronte tubacionet në kanale në varësi të kushteve klimatike.
Një tjetër specifikim janë edhe karakteristikat gjeologjike të tokës dhe ngarkesa e trafikut ndikojnë në kapacitetin e ngarkesës që mban tubi.

