Rama: BE e ndau Ballkanin Perëndimor nga vaksinat e vdekjes

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Shqipëria do të shkojë me një axhendë prioritetesh si toleranca fetare apo barazia gjinore. Në pritjen e organizuar me rastin e anëtarësimit Kryeministri Rama nuk nguroi të shigjetonte BE për sjelljen në raport me integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut por edhe problematikat në lidhje me shpërndarjen e vaksinave anti-Covid.

Barazia gjinore, mbrojtja e të drejtave të njeriut, toleranca fetare dhe mbrojtja e mjedisit do të jenë disa nga prioritetet e Shqipërisë gjatë ushtrimit të mandatit 2-vjeçar si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rama: Në gjithë këtë kohë, të mund të dalim nga ajo tryezë e posaçme me edhe më shumë respekt, besueshmëri dhe miqësi të forcuara. Sot është më mirë sesa një event i një kohe më parë, nesër do të jetë më mirë se sot ai përket distancave masive, mes folësit dhe dëgjuesve.

Shenjë besimi të ndërkombëtarëve e cilësoi kryeministri Rama marrjen e kësaj detyre.

Rama: Anëtarësimi në Këshillin e Sigurisë është jo thjesht një sukses i madh, por edhe i dobishëm, për të kuptuar se pavarësisht përmasave të vendit tonë, Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për vete dhe për të tjerët, për Rajonin. Në vendimin e 11 qershorit, morëm besimin nga 175 vende. Kjo është arritje dhe për Ballkanin Perëndimor, sepse është ulur në këtë tryezë vetëm një herë më parë. Kemi krijuar një standart besueshmërie dhe maturie me këtë zgjedhje.

Falenderoj të gjitha vendet që e mbështetën vendin tonë në këtë stacion ku asgjë nuk ishte e sigurtë dhe për ku punuan, besuan dhe arritën ta paraqesin bukur kandidaturën e Shqipërisë, diplomatë tanët që i falenderoj me respekt. Është një mësim inkurajues ky, për të besuar më shumë që Shqipëria të bëhet me shpejt. Afrimi i asaj dite është sfida dhe angazhimi ynë. Unë së bashku me shumicën e zgjedhur do ta jetojmë këtë sfidë, për t’u zgjuar më herët dhe për të punuar deri vonë. Për të pushuar më pak dhe për të punuar më shumë.Jetojmë në kohëra jo të lehta, që për ne këtu u rënduan nga tërmeti dhe pandemia.

Në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm ishin politikanë e diplomatë, kreu i qeverisë nuk la pa thumbuar sjelljen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor lidhur me procesin e integrimit.

Rama: Politika europiane sot nuk është një det i qetë dhe nuk është koha e duhur për t’u bërë pjesë e familjes europiane.Një mendje e ndritur që kishte dëgjuar fjalimin tim në Samitin e Berlinit, më tha se “vlerat që t’i i quan të BE-së, nuk janë vlera të tyret, por universale. Nuk është vetëm Shqipëria dhe Ballkani që përpiqen të jetojnë me ato vlera, por edhe vetë BE”.

Nëse ato vlera do të ishin vetëm të BE, Kosova nuk do të ishte duke pritur liberalizimin e vizave,  Shqipëria dhe Maqedonia nuk do të ishin akoma duke pritur datën e një konference në zoom, vetë Ballkani nuk do të ishte i ndarë deri edhe për vaksinat kundër vdekjes nga BE.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se Shqipëria do ta kthejë në histori suksesi rolin e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, detyrë që nis më 1 janar të vitit 2022.