Ligji antishpifje, "Reporterët pa Kufij" kritikojnë qeverinë shqiptare pse mban pezull ligjin
Organizata "Reporterët pa Kufij" u ka kërkuar institucioneve europiane të ndërhyjnë për tërheqjen ose amendimin e paketës antishpifje të cilën qeveria shqiptare po e mban pezull.
Ndryshimi i ligjit për mediet audiovizive është denoncuar nga shoqatat e gazetarëve në vend dhe jashtë, është kritikuar nga Bashkimi Europian dhe është rekomanduar të ndryshohet nga Komisioni i Venecies, pasi promovon vetëcensurën dhe prek lirinë e informimit.
Por sipas kreut të "Reporterëve pa Kufij" për rajonin e BE-së dhe Ballkanit, Pavol Zalai, kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij ende nuk po reflektojnë mbi udhëzimet e bëra.
"I ashtuquajturi ligj antishpifje qëndron varur mbi kokën e gazetarëve shqiptarë porsi shpata e Damokleut. Media shqiptare nuk mund të dënohet me pritjen pa fund të një qeverie e cila ka një historik me shkelje të lirisë së shtypit."
Organizata e cila mbron të drejtat e gazetarëve kudo nëpër botë mendon se duhen kërkuar garanci nga Komisioni Europian, në veçanti, pasi ligji nuk është në përputhje me aspiratën e Shqipërisë për t'u bërë pjesë e BE-së.
"Reporterët pa Kufij" qortojnë edhe nismën e parlamentit për të vijuar me caktimin e kryetarit të ri në Autoritetin e Medieve Audiovizive, pa përfshirjen e opozitës, dhe për marrjen parasysh të kandidaturës së ish-zëdhënëses së Partisë Socialiste në krye të një institucioni apolitik.
Shqipëria këtë vit u rendit e 83-ta mes 180 vendeve për sa i përket lirisë së shtypit dhe ligji antishpifje ndikoi për ta mbajtur vendin në radhën e shteteve problematike për mediet.

