KLP pezullon nga detyra prokurorët Edmond Kariqi dhe Maksim Sota, dy prokurët në hetim
Me 10 vota pro KLP pezullon nga detyra prokurorët Edmond Kariqi dhe Maksim Sota për shkak të masës së sigurisë së dhënë ndaj tyre.
Atyre u është dhënë masa e sigurisë arrest në shtëpi, vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Për shkak të pezullimit nga detyra të prokurorit Edmond Kariqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, i caktuar përkohësisht si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Këshilli vendosi transferimin përkohësisht, me pëlqimin e tij, të z. Xhevahir Lita, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, i cili do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, përkohësisht nga data 05.07.2021 – 04.01.2022.
Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime, që prokurori Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tremujor, nga data 05.07.2021 – 04.10.2021, pasi ai i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren përkatëse të Këshillit.
Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur, sikundër kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Prokurori Maksim Sota, është akuzuar për shpërdorim detyre në dosjen SPAK, për trafikun ndërkombëtarë të operacionit të 2 korrikut.
Sota nga ana e tij para Gjykatës paraqiti argumentet e tij duke rrëzuar akuzat në dosjen e prokurorisë ndërsa kërkoi thellim të hetimeve.
Prokurori Maksim Sota nën akuzë për shpërdorim detyre, nuk ka përmendur emra në seancë, ndërsa më herët SPAK, nuk ka dhënë informacion nëse ka të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë prokurori Edmond Kariqi është në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit.
Për të njëjtën akuzë është arrestuar edhe Isuf Gega i cili ka pasur detyrën e shoferit, dhe dyshohet se kryente rolin e sekserit.
Sipas SPAK prokurori akuzohet se ka marrë 2 mijë euro për lehtësimin e masës së sigurisë për një personin nën hetim.


