Durrës: Bashkia i largoi nga markata, tregtarët pazar në fushën me bar
Tregu agro-ushqimor në Durrës të hënën ishte bosh.
Bashkia e Durrësit kishte lajmëruar më parë tregtarët se data 5 korrik ishte afati i fundit për ta liruar tregun, pasi në atë vend do të bëhet një treg i ri.
Por në vendin e caktuar nga Bashkia në lagjen 18 shumica e tregtarëve nuk kanë shkuar, ndërsa ato që kanë zhvendosur atje kanë gjetur një fushë me bar.
Të revoltuar tregtarët kanë refuzuar që ta nxjerrin mallin aty, pasi sipas tyre vendi nuk përmbush asnjë kusht.
''Të dalim këtu në qiell të hapur pa asnjëlloj kushti.''
Thonë se nëse situata nuk merr zgjidhje, çmimet e produkteve do të rriten.
''Ne jemi të vdekur, do të ngrihen çmimet se nuk vjen njeri këtu. Malli do të na hidhet përdhe.''
Ata kanë edhe një thirrje për kryetaren e komanduar të Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.
''Këtu nuk vjen njeri, pse nuk vjen këtu kryetarja e bashkisë. Do të vijnë shumë shpejt zgjedhjet lokale.''
Tregtarët nuk kundërshtojnë rikonstruksionin e markatos, por kërkuan shtyrjen e punimeve pasi të kalojë sezoni i verës.
''Ai vend pune të rregullohet se është për të mirën tonë, por më mirë të rrimë një muaj në shtëpi se sa në këtë vend të hapur.''
