Koncert në mbështetje të fëmijëve autik, qendra "Xhoi&Xhulia" certifikatë mirënjohjeje drejtoreshës së përgjithshme të Rtv Ora
Qendra "Xhoi&Xhulia" ka zhvilluar një aktivitet dedikuar fëmijëve të spektrit autik.
Marina Kurti, soprano, mësuese e kantos dhe e pianos, Irma Rexhepi, mësuese e pikturës dhe Dorjana Malaj mësuese e violinës të ftuara në studion e emisionit "Ditë e Re" në RTV Ora na treguan më shumë rreth këtij aktiviteti. Mësuesja e kantos, tregon se në këtë aktivitet morën pjesë 35 fëmijë, 6 prej të cilëve i përkisnin spektrit autik. Gjithashtu në emision në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje qendra i dhuroi një certifikatë drejtoreshës Mariam Ndroqi.
Certifikata ju dha për kontributin e vyer ndër vite në mbështetje të fëmijëve autikë dhe ata me aftësi të veçanta.
Duke qenë se nuk ishte prezente në aktivitetin e zhvilluar nga qendra, certifikata iu dha moderatorëve Arjola Shehu dhe Arjon Muça gjatë emisionit.
Marina Kurti: "Ne e kemi këtë projekt të vazhdueshëm në qendrën tonë prej 9 muajsh, japim bursa falas për fëmijë me spektër autik. Disa nga fëmijët që performuan në koncert janë fëmijë që i kemi mësuar ne. Për ne është si mision të ndihmojmë fëmijët me spektër autik. Ne për një periudhë pune 9 muaj kemi dhënë 6 bursa studimi. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 35 fëmijë, vetëm 6 ishin fëmijë të spektrit autik. Ne në mbrëmjen e bamirësisë dhe koncertin e organizuar nga qendra jonë shpërndamë disa certifikata për njerëz të caktuar që kanë pasur një veprimtari të caktuar në lidhje me bamirësinë. Një ndër to është edhe certifikata për zonjën Mariam Ndroqi. Ajo ka bërë një punë shumë të madhe dhe për fëmijët talasemikë edhe pse e ka lënë pak në heshtje. Ne nuk duam ta kalojmë pa prekur dhe duam ta falenderojmë shumë."
Irma Rexhepi: "Ky aktivitet do mbahet mend. Në atë aktivitet vendosa që ekspozitën që kisha zhvilluar më parë në datën 19 qershor t'ia bashkëngjitja koncertit me një video, ku të gjithë fëmijët kishin prezantuar punët e tyre që janë shumë të bukura të punuara nga vetë ata."
Koncerti është zhvilluar në datën 30 qershor. Ideja ishte e drejtoreshës së qendrës Xhoi Jakaj.


