Në flakë prej 8 ditësh, mbi 25 hektarë pyje të djegura në Tomorr

Mbi 25 hektarë pyje janë djegur në malin e Tomorrit në 8 ditët e fundit prej kur zjarri ka nisur të përhapet. Situata në Parkun Kombëtar duket alarmante, ndërsa të tjera zjarre në Vikthkuq të Korçës dhe në Nokovë të Gjirokastrës kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë.

Prej 8 ditësh Parku Kombëtar i Tomorrit po digjet.

Mbi 25 hektarë pyje janë shkrumbuar deri më tani në kurorën e Tomorrit.

Dhjetëra forca zjarrfikëse, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës nga toka dhe një helikopter nga ajri po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Era e fortë ka bërë që vatra të tjera të përhapen, ndërsa e largët duket dita që situata të vihet nën kontroll.

Nga ana tjetër prej paradite së të dielës, në Vithkuq të Korçës disa vatra zjarri janë përhapur në pyje.

Rreth 20 forca të ushtrisë kanë shkuar tanimë në fshat dhe së bashku me banorët e zonës janë duke u përpjekur që të vënë nën kontroll zjarrin por edhe atje ende pa asnjë rezultat.

Në fshat janë aktivë edhe disa vatra zjarri ku zjarrëfikësja nuk mund të shkojë për shkak të terrenit të thyer malor.

Edhe fshati Nokovë në Gjirokastër është përfshirë nga vatra të shumta të zjarrit.

Mendohet se është zjarrvënie nga dy barinj në fshatin malor.

Deri në raportimet e fundit mësohet se aty janë djegur më shumë se 1 hektarë kullota, ndërsa flakët ende nuk janë vënë nën kontroll.