Ruçi takim me Ambasadoren e Holandës në Shqipëri: Mirënjohje për PO-në për mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua me  Ambasadoren e Holandës, znj. Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj në Shqipëri.

Z. Ruçi vlerësoi kontributin e Ambasadores Altes në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në mënyrë të veçantë kontributin për informimin e  Parlamentit dhe Qeverisë dhe të Holandës mbi arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.

“Shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë si edhe për rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.

Marrëdhëniet shumë të mira  dypalëshe janë pasqyruar edhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Për të tretin  vit radhazi, Holanda është investitori më i madh në Shqipëri dhe ne kemi besim se ky bashkëpunim do të vijë duke u zgjeruar e forcuar,” theksoi Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Guusje Korthals Altes falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për vlerësimin e punës së saj si edhe të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe nënvizoi se Vendet e Ulta do të vazhdojnë të mbështesin integrimin europian të Shqipërisë, konsolidimin në vendin tonë të vlerave europiane, mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri.