SPAK ka gati dosjet, Soreca: Godisni zyrtarët e lartë, s'jeni aty ku duhet

Në konferencën Antikorrupsion është vënë theksi në hetimin e rasteve të zyrtarëve të lartë. Ambasadori i BE-së, Soreca, ka theksuar se duhet vendosur parimi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ndërsa prokurori rumun solli në vëmendje rezultatet në vendin e tij me 2 kryeministra të dërguar në gjykatë dhe 80 deputetë. Këto hetime, sipas tij, ishin mbështetje për negociatat.

Shqipëria në raporttet ndërkombëtarë futet në shtetet me nivel të lartë korrupsioni.

Ndaj dhe si temë e rëndësishme për vendin në konferencën e posaçme të zhvilluar në Tiranë është vënë theksi në luftën e këtij fenomeni.

Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, deklaroi se të gjithë janë të barabartë para ligjit, e për këtë ai ka sjellë në vëmendje operacionin italo- shqiptar.

Soreca: Kemi parë magjistratë të cilët janë arrestuar dhe po ndiqen për krime të rënda. Ndërkohë që të premten patëm operacionin "Shpirti", një sukses shumë i madh i SPAK dhe autoriteteve ligj-zbatuese të Shqipërisë, i cili u përgëzua shumë nga prokurorët italianë të antimafies. Duhet që ne të shikojmë dy gjëra shumë të rëndësishme, dënimet në Gjykata dhe konfiskime përfundimtare të pasurive. Që të jemi të suksesshëm përsa i përket këtij historiku të dënimeve dhe konfiskimeve, hetimet financiare janë tejet të rëndësishme, janë kyçe, duhet të ndiqen në çdo rast.

Duhet që të ketë figura të nivelit publik, të nivelit të lartë të cilat duhet të dënohen, sepse kjo do të ndryshojë gjithçka. Këta zyrtarë duke qenë pas hekurave janë këta që duhet të kuptojnë që nuk janë më mbi ligjin. Pavarësisht arritjeve të bëra, Shqipëria nuk ka arritur fiks aty ku duhet, pra duhet që të fokusojmë vëmendjen në historikun më solid të hetimeve, ndjekjes penale, të gjykimit, konfiskimit të asteve. Së dyti Prokuroria dhe SPAK duhet të ndjekë korrupsionin e niveleve të larta. Së treti Shqipëria duhet të sigurojë që procedimet penale fillojnë dhe vazhdojnë në mënyrë sistematike ndaj prokurorëve që janë akuzuar për sjellje kriminale.

Edhe kreu i SPAK, Arben Kraja, ka nënvizuar ndalimet dhe procedimet e gjyqtarëve, teksa shton se me nisjen e punës së Byrosë Kombëtare të Hetimit çështjet do të jenë edhe më të shumta.

Kraja: Kërkohet më shumë të kemi produkt në raport me evidentimn e shkeljeve në shpërdorimin e fondeve publike, qoftë në nivel lokal apo qendror. Kuptohet bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë që në mënyrë abuzive shkelin ligjin. Kjo është përparësi e jona padiskutim që është duke u vlerësuar përditë e shpejt do kemi dhe rezultate konkrete që do i bëjmë publike, por me rëndësi është që struktura është e vendosur për qëllimin që është krijuar dhe ka vullnetin për të bashkëpunuar për ta realizuar qëllimin e përbashkët.

Mosndëshkueshmëria, nga ka ardhur? Nga mos funksionimi i sistemit, që do të thotë mos funksionim në prokurori e gjykatë që s’ka dhënë atë që duhet të jepte, vendimin për persona që shkelin ligjin, e tani po e shohim përditë kur prokurorë e gjyqtare konstatohen të përfshirë në vepra në shkelje të ligjit e ndonjë herë dhe me situata që lidhen me krimin e organizuar apo situata të tjera.

Si shembull të zbulimit të korrupsionit në nivele të larta Kryeprokurori Kombëtar Kundër Korrupsionit të Rumanisë, Crin Bologa, solli në vëmendje arrestimet në shtetin e tij.

Bologa: Kemi derguar në gjykatë dy kryeministra, 80 deputete dhe dhjetëra kryetarë bashkish. Për të qënë të suksesshëm në luftën ndaj korrupsionit janë pavarësia dhe specializimi i prokurorëve.

Për ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, një rëndësi të veçantë duhet të ketë ndjekja e denoncimeve nga vetë qytetarët.

Koordinatorët do ndjekin shqetësimet e qytetarëve. Në fjalën e tyre folësit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit mes organeve të drejtësisë.

Ndërsa ambasadori Soreca u shpreh se prej vitit 2012 unioni ka investuar mbi 60 milionë euro për forcimin e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese.