Rama: Të parët në rajon për investimet në bujqësi, në mandatin 3 do të eksportojmë 1 mld $
Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, kryeministri i vendit Rama tha se Shqipëria është vendi i parë në rajon për ndihmën e dhënë për bujqësinë.
Sipas Ramës, vendi ynë sa i takon bujqësisë ka kaluar edhe Serbinë dhe theksoi se është e pamundur t’i rezistosh presionit të madh të konkurrencën, prandaj nuk mund të mbjellësh ç’të thotë mendja, por duhet të informohesh.
Rama: Jemi vendi i parë në rajon për para të miratuara për bujqësinë, mirëpo këto para duhet të provosh se ke një sipërmarrje bujqësore sipas kategorive të programeve që funksionon dhe që një sipërmarrje të funksionojë duhet gjithnjë e më shumë të ketë njerëz të ditur, eksperienca e fermerëve të harmonizohet me mekanizmat e ri në raport me BE këtë financim. Ne jemi të parët në rajon, kemi kaluar edhe Serbinë, që dihet se çfarë tradite ka në një sërë kultura bujqësore, por në tërësinë e prodhimit bujqësor kemi ende punë për të bërë. Në Bujqësi sot nuk mund të jesh ujk i vetmuar, se është e pamundur t’i rezistosh presionit të madh të konkurrencën, nuk mund të mbjellësh ç'të thotë mendja, por duhet të informohesh dhe të shikosh se cilat janë kulturat që ty të japin mundësi që të kesh akses dhe këtë akses e zgjeron, dhe nuk ankohesh se shteti nuk t’i blen prodhimet, por duke shtuar radhët përmes harmonizimit të interesave private, dhe jo kooperativa të një sistemi tjetër që nuk ka sesi imagjinohet.
Rama shtoi e është vendosur si objektivi ambicioz, për të shkuar në 4 vitet e ardhshme në kufirin e 1 mld dollarë eksporte bujqësore.
Rama: Kemi vendosur objektivin ambicioz, për të shkuar në 4 vitet e ardhshme në kufirin e 1 mld dollarë eksporteve bujqësore, sot jemi në 400, kur e nisëm ishim më pak se gjysma e 400 dhe sot ne kemi mundësi që të synojmë për shumë më lartë. Që nëse e nisëm me 150 mln dhe shkuam në 400 në momentet më të mira, pa diskutim kemi mundësi për ta çuar në 1 mld, trefishimi i eksporteve në 2 mandatet e para ka qenë punë e vështirë se aty gjërat nga pikëpamja e përfshirjes së shtetit, kanë filluar gati-gati nga zero, ndërkohë që kishte në territor, sipërmarrje apo bashkime fermerësh që nga e kishin dhënë provat që nëse i shfrytëzon si duhet burimet e veta në fshat të bëhet një vend kampion në ekspertet bujqësore.
