Aksioni në plazhe/ Parcelat fusin në sherr bizneset me policinë

U desh të shënohej një ngjarje e rëndë me bilanc tragjik, 4 viktima dhe dy të plagosur që në Velipojë të zbarkonte policia e shtetit në bashkëpunim me agjencinë Kombëtare të bregdetit për të ndërhyrë për verifikimin e hapësirave publike.

Operacioni ‘Bregdeti Ynë’ konfirmoi që në plazhin e Velipojës, disa hoteleve nuk kanë dhënë për shfrytëzim sipërfaqen përpara objektit. Rasti i familjes Shabi është një prej tyre. Pronarja denoncon, jo vetëm që përpara hotelit kanë sjellë një subjekt tjetër, por edhe parcelën që ka fituar, një pjesë ja kanë zaptuar.

“Po si mo është biznesi tjetër, unë nuk jam e marrë me hy para biznesit tjetër. “- shprehet ajo

"Atë zgjidhe me atë që të kanë dhënë leje, që kanë hartën digjitale."- shprehet policia. 

Drejtori për rendin në policinë e Shkodrës, e pranoi problematikën, por për zgjidhjen i adresoi tek institucionet që i japin lejet. Theksoi se fokusi i tyre është paligjshmëria.

“Burim konflikti nuk ka nga asnjë subjekt”

Ndërsa pushuesit ngritën shqetësimin për mospërcaktimin e hapësirave publike në plazhe, kritikë që drejtuesit  e policisë  ia drejtuan Bashkisë Shkodër.

Nga 27 subjekte të verifikuara nga grykëderdhja e Bunës deri në Vilut-2 kishin zënë më shumë hapësirë se sa ishte parashikuar nga leja përkatëse në e-albania. Ndaj aty u sekuestruan 40 shezlongë dhe 20 çadra.

Efektivët e policisë së shtetit, ato të policisë bashkiake, IKMT dhe tatimet mësynë në të njëjtën kohë bregdetin nga Veriu në Jug. Në disa plazhe madje ishin më shumë se pushuesit. Një pjesë e subjekteve që u penalizuan u akuzuan për vonesat në lëshimin e lejeve për shfrytëzimin e plazheve, çka u kushtoi sekuestrimin e shezlongë dhe plazheve.

“Kam aplikuar, s’ka dalë leja”.-thotë qytetarja

Në total u sekuestruan, 1,132 shezlongë dhe 537 çadra të cilat nuk do t’u kthehen më subjekteve të kapura në shkelje të ligjit.