Teatri fut në "sherr" Aleancën me BE-në, Kalaja: Soreca ka lobuar në favor të Veliaj
Vendimi i KKT-së për të miratuar lejen e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar ka bërë që artistët dhe shoqëria civile të paraqiten sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Avokatja, Adriana Kalaja, ka akuzuar për ndërhyrje në punët e Gjykatës Kushtetuese si nga politika ashtu dhe nga trupi diplomatik.
"Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar në favor të kryetarit të Bashkisë sepse mendon që ne qëndrestarët e Teatrit mund t'i kalojmë gjërat kaq lehtë."
E ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Kostana Morava avokatja Kalaja u shpreh se ambasadori Soreca është takuar në datën 16 qershor me kryetaren e Gjykatës së Lartë dhe ky është i vetmi takim që nuk është bërë publik. Avokatja Kalaja e akuzoi ambasadorin Soreca për shkelje të pavarësisë së gjyqësorit dhe Kushtetutës shqiptare.
Kalaja: "Erion Veliaj është i bindur, prandaj i bën gjërat në fshehtësi sepse e di shumë mirë që jo vetëm jemi zotuar por çdo veprim që e bëjmë e bëjmë bazuar në prova dhe ligj. Pas informacioneve që ne morëm na u duk lajm i rëndë sepse nuk mundte që një ambasador të shkelë kaq haptas pavarësinë e gjyqësorit, sovranitetin kombëtar dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe Kushtetutën shqiptare. Ne kemi 3 ditë që bëjmë një hulumtim të gjerë dhe u konfirmua një gjë e tillë që Soreca është takuar me kryetaren e Gjykatës së Lartë më 16 qershor dhe e pranoi vetë Delegacioni sot. Unë e akuzoj që në mënyrë sistematike Soreca duke shkelur pozicionin e tij si ambasador i BE në Shqipëri ka mbajtur krahun e pushtetit, të të korruptuarve, të krimit. Nga ana tjetër është e dhimbshme sesi Soreca ka një origjinë italiane dhe e gjithë kjo trashëgimi që po shkatërrohet është me origjinë italiane."
Kalaja u shpreh se nga veprimet e ambasadorit Soreca nuk beson që BE e mbështet reformën në drejtësi. Gjithashtu tha se nëse zoti Rama dhe kryebashkiaku Veliaj mendojnë se kanë të drejtë duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kalaja: "Ne ngritëm pyetjen a ka qenë takimi i programuar? A ka qenë i protokolluar? Kush ka qenë prezent? Pyetjet për ne ishin shumë shqetësuese nisur dhe nga fakti se si u mbulua situata. Pse nuk u bë publike? Është rasti i parë kur nuk bëhet publik takimi. Si mundet një ambasador i huaj të dalë fshehtas, si hajdut nga mbrapa Gjykatës Kushtetuese? Nëse BE realisht e mbështet reformën në drejtësi, me të gjitha veprimet që ka bërë Soreca nuk besoj se e mbështet. Takimi ka përfunduar 5 minuta para se ët fillonte seanca për Teatrin. Nëse Veliaj dhe Rama mendojnë se kanë të drejtë do prisnin vendimin e GJK, por ata janë sulur në tura vrapi."
Kalaja tha se Erion Veliaj e ka ndjerë rrezikun dhe "vendimi i GJK ose do lejojë që Veliaj të abuzojë me ligjin ose do të jetë vendim me burg për të."
Kalaja: "Ne si Aleancë jo më kot e akuzojmë Sorecën, sepse ai ka shkuar më 16 qershor, sepse qartazi u pa se kush ishte pozicioni i trupës gjykuese në lidhje me çështjen. Erion Veliaj e ka ndjerë rrezikun, unë e shikoj vendimin e GJK si një ndarje qartazi që ose Erion Veliaj do vazhdojë të abuzojë me ligjin ose vendimi i GJK është vendim me burg për Erion Veliaj."
Kalaja tha se në datën 17 maj, ditën e prishjes së Teatrit Erion Veliaj ka bërë gabimin e jetës sepse ka përshpejtuar procedurën për të shkuara para drejtësisë.
Kalaja: "Ne i kemi dhënë fjalën më 17 maj që ai ka qenë gabimi i jetës së Erion Veliaj. Erion Veliaj me shembjen e Teatrit Kombëtar thjesht ka përshpejtuar procedurën për të shkuar para drejtësisë. Rama bën pjesë në ata politikanë që i përdor vartësit e tij, nuk firmos në asnjë vend dhe për këtë kemi prova. Rama që ishte iniciatori i Ligjit Special nuk e firmosi, nuk e votoi ligjin dy herë. Vendimin e Këshillit bashkiak e ka firmosur Veliaj. Rama e ka treguar gjatë 8 viteve që i përdor vartësit e tij dhe në një moment të caktuar i hedh."
Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku
