Banorët e Fushë-Mamurrasit sërish protestë për rikonstruksionin e rrugës: Po punohet pa kriter, të hapen kanalizimet
Banorët e Fushë -Mamurrasit për të dytën here, brenda pak ditësh kanë dalë në protestë për rrugën.
Ata thonë se punimet për rikonstruksionin po kryhen pa kriter.
Denoncojnë faktin se firma ndërtuese nuk ka parashikuar kanalizime, e për këtë arsye do iu duhet të ndërhyjnë në asfalt për te kulluar ujin qe u grumbullohet në oborre.
"Ne këmbëngulim që të hapen kanalizimet, qoftë të ujërave të zeza, qoftë të ujërave të bardha," thotë banori.
Banorët pranojnë edhe shembjen e mureve rrethuese të shtëpive vetëm qe projekti të përfshijë kanalizimet.
"Të hapet edhe të bëjë kanalizimin, është shumë dakord," thotë banori.
Nuk kanë as ku të ankohen sepse s'kanë dijeni për pronarin e firmës që kryen këto punime.
"Ne nuk e dimë se kush është firma, këtu s'ka as drejtues, asgjë," thonë banorët.
Për kryetaren e Bashkisë Majlinda Cara kanë një apel.
"Të mos vijë për fushatë, mos të vijë këtu të na hapë iftar për muajt e Ramazanit që të gënjejë njerëzit," thotë banori.
Banorët e zonës kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të pengojnë punimet në rrugë.
"Po nuk i bënë kanalizimet do ta shpërthej vetë unë ta hap se nuk pres ujin të më hyjë në shtëpi," thotë banori.
