Aleanca kritika ndaj Sorecës për ''Teatrin'': Po i bëhet presion Kushtetueses, BE nuk po reagon
Aktivistë të Aleancës për Teatrin kanë ngritur kritika kundrejt zyrës lokale të BE në Tiranë lidhur me cështjen e Teatrit Kombëtar.
Ata shprehen se reagimet e BE-së në Tiranë kanë qenë të mekura përgjatë gjithë kohës së rezistencës dhe se tashmë që qeveria po bën presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, nuk ka asnjë reagim.
Ata i drejtojnë disa pyetje ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, ku shprehen se derisa të ketë një reagim për këtë, zyra e Bashkimit Evropian, nuk e ruan atë legjitimitet moral që pretendon në formën e tutoriatit.
Reagimi i plotë:
Ndërkohë që zyrtarë nga Brukseli i kanë kërkuar llogari rregullisht qeverisë shqiptare për çështjen e Teatrit Kombëtar, reagimet e zyrës lokale të BE në Tiranë, kanë qenë të mekura përgjatë gjithë kohës së rezistencës. Shprehimisht na kanë thënë se ‘kjo është çështje e brendshme’. E kuptuam në atë kohë. Tani, pasi u prish, pasi u dhunuan me dhjetëra qytetarë dhe u shkel me këmbë mbi çdo ligj te mundshëm, sërish nuk kemi asnjë reagim nga zyra lokale e BE-së, megjithëse qeveria po bën presion hapur Gjykatës Kushtetuese.
I drejtohemi publikisht me disa pyetje z. Soreca, a është presion ndaj drejtësisë, kur qeveria merr një vendim i cili është i lidhur zinxhir me vendimmarrjet që janë duke u shqyrtuar në Gjykatë Kushtetuese, siç ishte dje vendimi i KKT-së për dhënien e lejes së Teatrit, kur kryetari i KKT-së është i njëjti person më kryetarin e Këshillit të Ministrave, dhe Vendimi i këtij Këshilli është subjekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese?
A nuk është ky presion i hapur politik që i bëhet gjykatës, madje edhe frikë e terror ndaj drejtësisë? A nuk është mesazhi i lejes së KKT, mesazh për drejtësinë e re, që të mos guxojë t'i quajë anti-kushtetuese vendimmarrjet që çuan në prishjen e Teatrit? Derisa të ketë një reagim për këtë, Zyra e Bashkimit Evropian, nuk e ruan atë legjitimitet moral që pretendon në formën e tutoriatit, sepse reputacioni i Reformës së Drejtësisë është përtokë dhe po përbaltet çdo ditë. Këto, ua kemi shprehur edhe drejtpërdrejtë, kur na është dhënë mundësia. Kthimi i besimit te drejtësia është urgjencë kombëtare. Shqipëria lëngon dhe ju nuk mund të bëni sikur nuk e shihni.
