Shkodra i bashkohet “festës” në 460 qytete të botës

Perlat e muzikës qytetare dhe kryeveprat botërore të muzikës, erdhen në një mbrëmje të veçantë në sheshin përpara bashkisë Shkodër.

U zgjodh kjo mbrëmje muzikore e Orkestrës frymore të qytetit, që kryeqendra e veriut si çdo vit t'i bashkohej 460 qyteteve në 110 vende të botës, për ditën ndërkombëtare të muzikës.

Një rrugëtim dhe ndërthurje muzikore që brenda saj ka mesazhin e ruajtjes dhe përcjelljes së traditës që Shkodra ka ndër shekuj.

"Që muzika është një simbol i mirënjohjes, i bashkimit, i qytetërimit dhe i vlerave të vërteta," tha udhëheqësi artistik Bardhyl Hysa.

"Fat i madh që kjo trupë vazhdon të jetë si rezultat i pasionit të këtyre muzikantëve," tha Kujtim Aliaj, mjeshtër i madh.

Kompozitori Markelian Kapedani kërkoi më shumë vëmendje për edukimin muzikor në shkolla.

"Ne kemi nevojë që në shkollat tona të ketë muzikë siç është matematika apo fizika," tha kompozitori Markelian Kapedani.

Festa e Muzikës është krijuar nga Jack Lang , ish- Ministër i Kulturës i Francës në 21 qershor 1981 dhe festohet në të gjithë botën në formën e një festivali muzikor.