Situata epidemiologjike në vend/ Alimehmeti: Vaksina të ndihmon për të shpëtuar nga pandemia
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, ka komentuar situatën epidemiologjike në vendin tonë dhe vaksinimin.
Ai është shprehur se situata epidemiologjike në Shqipëri është aq e ulët, pasi numri i rasteve dhe viktimave nga Covid-10, ka rënë ndjeshëm.
Për sa i përket lëvizjeve të njerëzve jashtë Shqipërisë, mjeku ka theksuar se tamponi negativ që kërkohet në shumë shtete për lëvizjen e lirë është një gabim i madh. Ai shton se vaksina të ndihmon për të shpëtuar nga pandemia.
“Është një hap përpara. Kur diskutohej kjo pjesa e vaksinës, për 1/3 e parë të popullatës do kishte shumë shtysë për të bërë vaksina por nuk do të kishte vaksina. Jemi te faza që tashmë është e hapur, nuk është më ai vrull, ajo kërkesë dhe ajo mungesë aq e madhe nga ana e vaksinave. Pra është një hap përpara.
Çdo shtet evropian me të vërtetë ka një kornizë, por është çdo shtet më vete që formon rregullat e veta. Nga krahu tjetër ne duhet të kemi parasysh që situate epidemiologjike në Shqipëri është aq e ulët. Tamponi kërkohet në shumë shtete për lëvizjen e lirë dhe është një gabim shumë I madh sepse për sa i përket sigurisë epidemiologjike patjetër që vaksina është diçka shumë më e fortë se tamponi negativ. Shumica e shteteve prej Shqipërisë kërkojnë tampon negativ.
Ndërgjegjshmëria për këtë virus apo bakter tjetër duhet të jetë në nivelet e shëndetshme, jo në nivelet e obsesionit. Po të shohim të dhënat zyrtare dhe qarqet ku i kemi sytë më shumë janë qarqet ku ka më shumë turizëm, qarqe ku shkojnë njerëz nga shumë shtet e qytete. Qarku i Vlorës, ka vetëm një rast aktiv. Me një situatë të tillë dhe me një person të vetëm në spital, tregon se situata është pothuajse bosh. Ky relaksim ndoshta mund të jetë i përkohshëm, por sot për sot, të paktën ti gëzohemi këtyre lajmeve të mira dhe të turizmit.”
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini

