Aksidentet e shtuara rrugore, psikologët e sociologët propozojnë ashpërsim të masave ndëshkuese dhe test inteligjence
Numri i shtuar i aksidenteve rrugore si shkak I shpejtësisë tej normave të lejuara ka sjell në jo pak raste dhe fatalitete.
Sociologia Marsida Simo thotë mosha 18-25 vjec janë bërë shkak të aksidenteve rrugore e kjo vjen si rezultat i devijancave të sjelljes dhe privilegjet e të pasurit makina luksoze në moshë relativisht të re.
"Moszbatimi i rregullave dhe kodit rrugor tregon moszbatim të ligjeve dhe rregullave në tërësi që ka shoqëria jonë. Respektimi i ligjit fillon në moshë fare të hershme. Shohim sot djem që ndjejnë sikur janë zot të rrugës apo zot të një territori ku në të vërtetë ata duhet thjesht të jenë të përgjegjshëm," thotë Simo.
Për psikologen Marsela Lekli adrenalina që të rinjtë mbartin në drejtimin e mjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara dhe ekspozimi i tyre në rrjetet sociale krijon idenë e “personalitetit të të fortit”, një ide kjo e rrezikshme që mund të prodhojë fatkeqësi.
"Duan të shfaqin adrenalina të ndryshme duke u dukur nëpër rrjete sociale që po shohim çdo ditë e më shumë, duke bërë dhe atë konkurrencën mes shoqërisë që kush e kush arrin kilometrazhin më shpejt se sa është e mundur," thotë Lekli.
Ashpërsimi i masave ndëshkuese për shkelësit e kodit rrugor dhe ndërgjegjësimi i vetë qytetarëve do të ndikonte në shmangien e aksidenteve, pa lënë mënjanë eleminimin e rasteve të korrupsionit.
"Duke vendosur gjoba dhe duke e mbajtur deri në fund. Duke marrë masa të cilat janë jo vetëm administrative, por edhe penale. Jo të dëgjojmë lajme siç dëgjuam edhe sot që personi i cili shkaktoi një aksident të vajzës 24 vjeç u lirua për arsye ndoshta shëndetësore," tha Simo.
Ndërsa psikologia Lekli sugjeron një test inteligjence pas marrjes së lejes së drejtimit për të pare kapacitetin euforik dhe adrenalinën e të rinjve.
"Të bëjmë një test inteligjence nga një psikolog klinik për të parë euforinë dhe gjendjen psikologjike të këtij individi. Shkaqet mund të jenë të shumta, mund t'i bëjnë qëllimisht, por mund ta kenë nga stresi, nga pagjumësia, ndikimi i lëndëve narkotike," tha Lekli.
