Çdo ditë vrasje e aksidente, Hajdarmataj: Policia ka dështuar në parandalimin e ngjarjeve kriminale
Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i policisë së shtetit i ftuar në studion e Ora News, me gazetaren Matilda Mcini ka folur për ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur vendin.
Aksidenti tragjik në Vlorë i mori jetën 4 anëtarëve të familjes Gushi, më 25 qershor, ndërsa sherri për çadrat e plazhit në Velipojë la të vrarë 4 persona, pak pas mesnatës së 27 qershorit.
Hajdarmataj shprehet se policia e shtetit ka dështuar që të parandalojë ngjarjet kriminale në vend.
Hajdarmataj: "Nuk është një situatë normale përsa i përket rendit dhe sigurisë.
Nëse do marrim ngjarjes e Vlorës, të aksidentit rrugor, nëse do t'ia vëmë gishtin një institucioni përgjegjës normalisht që përgjegjësia e policisë së shtetit këtu është e pashmangshme. Është institucioni kryesor që ka për detyrë të kontrollojë dhe monitorojë të gjitha llojet e krimeve, dhe një nga këto krime është dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Policia ka dështuar në parandalimin. Policia çdo ditë është në rrugë për të goditur krimin dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor është vepër penale."
Hajdarmataj tha se policia reagon ndryshe kur ndalon një shofer me një makinë luksozë sepse nëse zbaton ligjin, këtij polici i rrezikohet vendi i punës.
Hajdarmataj: "Institucioni i policisë së shtetit reagon shumë ndryshe nga drejtuesit e mejteve të cilët kanë automjetet me vlera të mëdha dhe ndryshe te një automjet i një punëtori që mban familjen me atë automjet. Policia e shtetit, ose punonjësit e ndershëm, në një farë mase janë të dyzuar. Duke parë që personi që përdor këtë lloj automjeti është djali i nëj biznesmeni, djali i një personi që mund të ketë influencë në politikë, nëse do zbatojë ligjin me këtë lloj personi atij i rrezikohet vendi i punës. Pjesa tjetër është pjesa korruptive, sepse këta drejtues me mjete luksoze policia i shikon njerëz që i paguajnë policës. Polici thotë më mirë po marr një 50 mijë lekësh sesa ta çoj në komision. Dhe kjo sjell dhe pasoja."
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku
