Nisen nga Durrësi 6 kamionët e parë me plehra drejt Landifillit të Sharrës, falas deri 15 korrik
Administratorët e landfillit kanë njoftuar përmes një shkrese zyrtare drejtuesen e bashkisë se mbetjet do të pranohen pa asnjë kosto financiare.
Kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme pasi pas datës 15, asnjë kamion me plehra nuk do të pranohet nëse më parë bashkia Durrës nuk përmbush kushtet financiare.
Në pritje të një marrëveshje me Landfillin e Sharrës qindra ton mbetje, të hënën u nisës drejt Landfill-it të Bushatit në Vaun e Dejës.
Plehrat që kanë pushtuar Durrësin në çdo lagje e rrugicë janë kthyer në shqetësim për banorët e turistët.
"Çfarë jemi? Jemi kafshë?"
"Plehrat që më vijnë deri në derë të shtëpisë, kjo është zgjidhja."
Të hënën ministri i Brendshëm Blendi Çuçi në një deklaratë për media ka thënë brenda pak ditësh pritet që ky shqetësim të gjejë një zgjidhje përfundimtare.
Ndërsa kryetarja e komanduar e bashkisë Emirjana Sako, është shprehur se janë duke pritur qeverinë për miratimin e fondit prej më shumë se 5 milionë eurosh, që do i japë zgjidhje përfundimtare mbetjeve në Durrës.
"Në mënyrë që të finalizohet kjo kërkesë e miratuar nga Këshilli Bashkiak, si dhe të financohet për 10 vjet tarifa hyrëse për bashkinë e Durrësit," tha Sako.
Për këtë situatë ka reaguar edhe Kryetari i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferri i cili tha se qeveria dhe Bashkia e kanë kthyer qytetin në një landfill të madh.
"I gjithë Durrësi është bërë për të shpallur emergjencën mjedisore," tha Xhaferri.
Kriza e mbetjeve në Durrës ka nisur që nga mbyllja e vendgrumbullimit në Spitallë dy vite më parë, ndërsa Bashkia e Durrësit tanimë ka shfaqur edhe probleme financiare për tarifën që duhet të paguajë në Sharrë.


