Masakra e Velipojës/ Soko: Pse çuditeni? Ishte e pritshme, centralizohet korrupsioni që ta marrë fitimin qeveria

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ekonomisti Pono Soko, ka komentuar masakrën në Velipojë, ku 4 persona mbetën të vrarë pas një përplasje që u bë për shezlong-et.

Ai është shprehur se kjo ishte e pritshme pasi e drejta për të ndarë hapësirën e shfrytëzimit të plazhit ka kaluar vetëm në një dorë të vetme.

Më tej ai tha edhe pse ka filluar sezoni turistik, ka një mosmenaxhim të organizimit, teksa thekson se centralizohet korrupsionin që ta marrë fitimin qeveria.

“Është epilogu i pritshëm dhe nuk e kuptoj se si çuditen njerëzit. Heqja e të drejtës së Bashkisë për të shpërndarë të drejtën shfrytëzimit të plazhit dhe kalimi i centralizimit në një dorë të vetme, natyrisht këtë gjë do të sillte. Kjo është pasojë e faktit që gjithë këtë punën operacionale që e kryenin 10 bashki, tashmë do e kryente vetëm një Bashki e vetme. Po vjen korriku dhe nuk janë ndarë akoma shezlong-et. Çdo gjë që e bën e bën për çështje korrupsioni, neutralizimi i korrupsionit. Ndarja që kishin këto Bashkitë që merrnin ndonjë lekë nga ndarja e këtyre shezlong-ve tani e centralizojmë korrupsionin që ta marri të gjithë fitimi qeveria.

Ne kemi publike me dhjetëra raste po sa nuk janë bërë publike, përplasje për shezlong-et, dhe kjo situatë është çmenduri, dhe sidomos në të parin sezon që ne po jetojmë gjysmë-normalisht që pas pandemisë. Frika gjithmonë do të sjellë stepje, unë shpresoj që inshalla jo, por normalisht nëse unë do dëgjoja një ngjarje të tillë, unë do zgjidhja një vend që të mos kishte probleme ku të mos më rrezikohet.

Duhet të vënë gishti në kokë, se ne edhe kur s’kemi fare nga ato gjëra ne jemi bërnut, ne në vend që ta bëjmë sa më atraktivë këtë vend, ta heqim atë imazhin e keq që kemi, sepse e kemi të mbartur nga droga, nga varfëria, pra në vend që të punojmë se si ti luftojmë këto mesazhe të këqija që shikojmë në Shqipëri, lejojmë që të vriten njerëz në plazhe.“

Përsa i përket aksidentit në aksin Fier- Vlorë, para disa ditësh ku mbetën të vdekur 4 persona të një familje, Soko ka thënë se aksidente ndodhin kudo, por ajo që e shqetëson është barazia mes njerëzve.

“Në një perspektivë normale, aksidente ka kudo. Ajo që më shqetëson mua është barazia. Si guxon një njeri më një makinë të shtrenjtë të ecë me 200 km/h, pse nuk guxoj dot unë, unë kam frikë nga ligji. Kjo Shqipëri është ndarë në njerëz që bëjnë çdo gjë , këta që vjedhin, këta që ecin shpejt, këta që pastrojnë para dhe të tjerë pastaj që zbatojnë ligjet, gjobiten, vjedh dritat tjetrin e fusin në burg. Pra kjo pabarazi më vret mua. Janë ca njerëz që bëjnë çfarë të duan dhe s’ju hyn asgjë në këmbë. Kjo ndikon te ne si qytetarë nuk besoj se do të ndikojë te turizmi.”

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini