Masakra në Velipojë/ E ëma mësoi për vrasjen e Musaenit 10 orë më pas

Musaeni mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave midis Ferracakëve dhe Gocajve, gjatë konfliktit për plazhin në Velipojë.

Ngjarja që ndodhi pak pas mesnatës, rreth orës 00:30 së 27 qershorit u përhap me shpejtësi në media dhe tronditi shoqërinë paraditen e së dielës. Atë mëngjes Anila, mamaja e Musaenit ishte nisur në punë si zakonisht në lavanderinë e spitalit të qytetit.

"Kam lare çarçafët e tu me gjak e nuk e kam ditë" dëgjohej të përsëriste në vajin e të birit. 

Lajmin e kobshëm e mësoi rreth orës 11:00 të paradites së të dielës. Fillimisht policia e identifikoi si Myzerim Zeneli, 20 vjeç një ditë më pas u mësua se djaloshi i cili humbi jetën ishte Musaeni vetëm 19 vjeç.

Të premten e 26 qershorit Musaeni kishte mbrëmjen e maturës. Nga shokët ishte ndarë më herët pasi të nesërmen do të niste punë si kamarier pa e ditur që do të ishte dita e fundit e jetës së tij.

Ëndrra e Musaenit ishte të bëhej kuzhinier, por ajo mbeti vetëm e tillë. Historia e 19-vjeçarit që e veshi vetëm një ditë uniformën e bardhë i ka prekur të gjithë.