“Nxorën kriminelët nga burgu”, Gjykata e Vlorës i përgjigjet Çuçit
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sot në konferencën për mediet ka shigjetuar gjyqësorin dhe prokurorinë për situatën kriminale.
Çuçi vuri në dukje lirimin në sallën e gjyqit që ju bë Edison Begaj, person ky që u ndalua në Lungomare të Vlorës me shumë bujë nga “Renea”.
Edhe pse arma e zjarrit ju kap në trup, prokurorja Elona Alvora në Vlorë ka kërkuar arrest në shtëpi që është miratuar dhe nga Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Albert Spiro.
Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar Gjykata e Vlorës.
Reagimi i plotë:
"Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike
dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur
vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur
nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021,
në ngarkim të shtetasit Edison Begaj, ju informojmë se:
Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar cështja me nr.
159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të
shtetasit Edison Begaj, akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021,
ka qënë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale.
Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe
nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë
“arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga
Prokuroria.
Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e
drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve.
Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj.
Ju faleminderit!"
