IKMT në Vlorë për shembjen e objekteve pa leje në bregdet
Ndërsa në Velipojë pronarët po vriten për hapësirat e plazhit, në Jug fadromat po rrafshojnë ndërtimet pa lejë.
Fadromat e IKMT mbërritën edhe në Vlorë.
Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi shembjen e objekteve pa leje nga Orikumi të hënën, 28 qershor.
Të martën e në vijim pritet që zyrtaret e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit të zbarkojnë dhe në Radhimë dhe Llogara për të shembur objektet pa leje.
Operacioni nisi në datën 16 qershor nga Ksamili dhe Velipoja, por ndërsa në të dy zonat ishin përcaktuar objektet që do të shembeshin, në Vlorë duket se është e paqartë se cilat objekte do të prishen.
"Nuk mund të jap një numër të saktë të objekteve që kanë probleme apo do të prishem sepse që nga koha që është marrë vendimi dhe deri sot mund të ketë ndryshuar statusi i pronës, që do të thotë mund të kenë marrë hipotekë. Do të shikojmë hap pas hapi dhe rast pas rasti," tha kreu i IKMT.
Sipas Ministrisë së Brendshme në dy javët e para të aksionit janë shembur 61 objekte pa leje në Velipojë, Shëngjin, Durrës e Ksamil.
Krahas objekte që janë shembur gjithashtu ndaj këtyre subjekteve janë vendosur edhe 94 milionë lekë gjoba, ndërsa 29 persona kanë rënë në prangat e policisë.

