"Janë rrëmbyer plazhe e toka, më pas janë legalizuar" Vjen propozimi i papritur: Të mos legalizohen më ndërtimet pa leje
Në një intervistë për RTV Ora, Besnik Vathi, operator turistik duke iu referuar ngjarjes së rëndë në Velipojë tha se ngjarjet që ndodhin në vend e ndikojnë shumë turizmin.
Për Vathin, kërkohet që të mos dëmtohet industria e turizmit sërish sepse ndodhi nga pandemia dhe tërmeti më parë.
Vathi: Në turizëm është shumë e prekshme situata e përditshme dhe ngjarjet që ndodhin, ndikojnë shumë në turizëm. Unë do të doja që këto ngjarje të mos ndodhnin dhe në media të mos kalonin kaq shumë dhe kaq shpesh sepse efekti shumëzohet akoma edhe më shumë. Unë parmbrëmë kam qenë vetë në Velipojë dhe e mora lajmin nga portalet e media. Prandaj efektet janë më të mëdha në media. Ne kërkojmë që të mos dëmtohet industria e turizmit sërish sepse ndodhi nga pandemia dhe tërmeti më parë.
Ai theksoi se vendi ynë ka funksionuar me rrëmbim dhe se këto prona të rrëmbyera janë legalizuar më pas, gjë e cila sipas Vathit nuk është gjëja e duhur.
Vathi: Çdo gjë ka përfunduar me rrëmbim. Në Shqipëri ka funksionuar me rrëmbim. Janë rrëmbyer plazhe dhe toka, e më pas janë legalizuar. Vetë legalizimi i ndërtimeve pa leje që ka ndodhur në 20 vitet e fundit është legalizim i asaj që është rrëmbyer, ndërkohë që këto plazhe të kësaj zone bregdetare kaq me vlerë nëse do të jepeshin për investime serioze e strategjike do të kishte shumë më të ardhura se sa lënia e lirë dhe legalizimi pas rrëmbimit. Pasi natyrshëm që rrëmbimi ka ndodhur mbi konflikte të vjetra e të reja, duke transferuar konfliktet. Të mos legalizohen më ndërtime pa leje!
Vathi komentoi edhe rastin e Himarës, ky dy pronarë hoteli terrorizuan një familje pushuesish, rast për të cilin ai tha se ishte një ngjarje e turpshme.
Vathi: Sjellje të tilla janë të turpshme, nga kushdo që vjen nga sektori i turizmit. Sektori është i pakontrolluar nëse ka apo jo profesionistë në këtë sektor dhe pajisja me licenca. Sot në turizëm të gjithë quhen operatorë turistë, por në fakt të tillë janë ata që marrin licencë. Jo çdo hotel dhe restorant është për turistë. Shteti i ka mënyrat për të regjistruar të gjitha aktivitetet, sepse regjistrohen në QKR ku duhet kaluar edhe në shumë filtra. Këtu edhe yjet vendosen sipas qejfit, sepse ashtu e mendojnë.