Tre rastet që denoncoi sot Çuçi: Dy nga 3 të liruarit nga Drejtësia u kapën nga RENEA me armë
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sot në konferencën për mediat ka shigjetuar gjyqesorin dhe prokurorinë për situatën kriminale. Madje përballë gazetarëve ku foli për katër viktimat në autostradë dhe katër në Velipojë riktheu dhe shprehjen e bujshmë
Madje ai u ka kërkuar gazetarëve kritikë të ndjekin proceset deri në fund. E për këtë solli tre raste me të ndaluar për armëmbajtje por që janë lënë të lirë.
Çuçi vuri në dukje lirimin në sallën e gjyqit që ju bë Edison Begaj, person ky që u ndalua në Lungomare të Vlorës me shumë bujë nga “Renea”. Edhe pse arma e zjarrit ju kap në trup, prokurorja Elona Alvora në Vlorë ka kërkuar arrest në shtëpi që është miratuar dhe nga Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Albert Spiro.
Begaj është një person i dënuar për “Trafik të narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Me rastin e kapjes së pak ditëve më parë me armë pa leje, ai ishte një individ përsëritës i veprave penale të rënda. Por ai arriti të bindë prokuroren Elona Alvora, se ai ishte personi që kishte kujdestarinë e dy fëmijëve, pasi bashkëshortja i kishte ndëruar jetë.
Një rast i përmendur nga Çuçi ka ndodhur dhe në prokurorinë e Fierit. Prokurori Erind Rahovica, ka kërkuar masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe jo arrest në burg për Indrit Hoxhaj alias Kuçi, i cili konsiderohet si nipi i njërit prej emrave të njohur për policinë e Fierit, raporton Ora News.
Kuçi është ndaluar gjatë operacionit të RENEA-s në datën 16 qershor. Në momentin kur ka hyrë RENEA në lokal për kontroll ai, ka hedhur armën nga dritarja. Kuçi, ka mundur të shpëtojë në gjykatë dhe prokurori, duke paraqitur një kartelë mjekësore të babait të tij, që vuan nga sëmundje mendore dhe për pasojë ka kërkuar një masë të butë, pasi ishte personi i vetëm që kujdesej për të. Me këtë argument, prokurori Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, kanë vendosur të mos e mbyllin në burg por ta lenë në “arrest shtëpie”, raporton Ora News.
Rasti i tretë që përmendi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është lirimi nga burgu i Rrok Pepaj, babait të Edison Pepaj, që vrau në parcelën me hashash Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj. Lirimi i Rrok Pepaj, mësohet se është bërë me kërkesë të prokurores, Edlira Cufi, e cila ka zbutur masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Çfarë deklaroi Çuçi?
Për situatën kriminale, Ministri i Brendshëm drejton gishtin te gjyqësori dhe te prokuroria. Duke theksuar se kjo nuk është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, ai flet me emra dhe raste.
Çuçi: Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA.

