Durrësi pa zgjidhje afatgjatë për mbetjet, qindra ton plehra në rrugë, të tjerat nisen drejt landfillit të Bushatit

Rrugët kryesore të Durrësit, lagjet e rrugicat vijojnë të jenë të mbushura me mbetje prej gati një jave.

Qytetarët kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën dhe kanë apeluar që vendi të pastrohet menjëherë.

"Çfarë jemi, jemi kafshë?"

"Mblidhen të gjitha dhe vijnë këtu ne. Po pse plehraxhi jemi ne që paguajmë të gjitha detyrimet e shtetit?!"

"Mbeturinat e krejt Durrësit mblidhen këtu, këtu është qendër e banuar, janë 200 familje. Era na qelbi. Kur ishte më ftohtë se kemi ndjerë por tani nuk durohet fare. Vijnë dhe i shkarkojnë natën."

Qindra ton mbetje, këtë të hënë janë nisur drejt Landfill-it të Bushatit në Vaun e Dejës pasi Landfilli i Sharrës refuzoi t’i pranonte për shkak të mbarimit të kontratës.

Gjithësesi, kjo është një zgjidhje provizore sa për të lehtësuar disi situatën për shkak se mes Bashkisë së Durrësit dhe landfillit të Bushatit, nuk ka një kontratë të afatgjatë.

Të hënën Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, në një deklaratë për media ka thënë se brenda pak ditësh pritet që ky shqetësim të gjejë një zgjidhje përfundimtare.

Ndërsa kryetarja e komanduar e Bashkisë, Emirjana Sako, është shprehur se janë duke pritur qeverinë për miratimin e fondit prej më shumë se 5 milionë eurosh, që do i japë zgjidhje përfundimtare mbetjeve në Durrës.

"Në mes të muajit kemi bërë kërkesën në mënyrë që të finalizohet kjo kërkesë e këshillit bashkiak si dhe të financohet pëer 10 vjet tarifa hyrëse për bashkinë e Durrësit."

Për këtë situatë ka reguar edhe kryetari i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferri, i cili tha se qeveria dhe Bashkia e kanë kthyer qytetin në një landfill të madh.

"I gjithë Durrësi është bërë për të shpallur emergjencën e vërtetë, kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së Edi Ramës dhe jo ajo që thotë Rama në facebook".
Kriza e mbetjeve në Durrës ka nisur që nga mbyllja e vengrumbullimit në Spitallë dy vite më parë, ndërsa Bashkia e Durrësit tanimë ka shfaqur edhe probleme financiare për tarifën që duhet të paguajë në Sharrë.

Për këtë arsye, është kërkuar edhe kompensim nga qeveria.