Çuçi akuza gjyqtarëve: Drejtësia liron kriminelët. Reagon ILD: Deklaratat, ndërhyrje në punën e drejtësisë

Ngjarjet e fundit kriminale në vend shoqëruar edhe me viktima kanë detyruar Ministrin e Brendshëm Blendi Cuçi të dalë pëballë gazetareve, për herë të parë pas emërimit në krye të këtij dikasteri.

Pa mohuar problemet me policinë, për të cilën tha se do t’i nënshtrohet një riorganizimi, Çuçi fajësoi gjyqtarët dhe prokurorët, që sipas tij para vettingut po veprojnë si KÇK (Kap ça të kapësh)  dhe po lirojnë personat që kapen nga policia me armë pa leje, duke mos nguruar të përmendë edhe emrat e tyre.

“Mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon GJYKATA.
Mjafton t’ju marrë një shembull:

Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje.

Fatkeqësisht prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurorës Edlira Cupi  në Shkodër apo dyshja prokurorë gjykatës Elona Alvora dhe Albert Spiro në Vlorë si dhe prokurorit Erind Rahovica dhe gjyqtarit Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit megjithëse minimuni i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie.

Drone për aksidentet

Sa i takon aksidenteve rrugore Ministri i Brendshëm bëri me dije se krahas përmirësimit të teknologjisë ku do të aplikohen monitorimet me dron, do të propozohet verifikimi i pasurisë edhe për të gjithë ata që qarkullojnë me makina të shtrenjta

“Do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim.”

Velipoja

Duke u ndalur ngjarja e Velipojës, Çuci tha se nuk është në kompetencë të Ministrisë së Brendshme ndarja e territorit të plazheve ndërsa mohoi se ka patur denoncim ne polici para konfiktit ku u shënuan katër viktima.

‘Nuk ka pasur një denoncim që jam kërcënuar për shkak të kësaj gjëje, jua them me kompetencë këtë gjë”

Kreu i ministrisë së Brendshme tha se duke filluar nga java tjetër do të ketë ndryshim të drejtuesve të lartë të policisë në qarqe që do të shtrihet më pas edhe në çdo komisariat.

Reagimi i ILD

Pas deklaratave të Çuçit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehu shqetësim për ndërhyrjen në pavarësinë e magjistratëve.  “ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive”, thuhet në deklaratën e cila thekson se vendimet e gjykatave duhet të ankimohen brenda gjyqësorit, jo të anatemohen.