"Nuk jemi kafshë!" Banorët e Nishtullës të alarmuar nga mbetjet e Durrësit, Xhaferraj: Fytyra e mandatit të tretë

Lagjia e Nishtullës në Durrës është kthyer në vendgrumbullim mbetjesh.

Bashkia e Durrësit ka depozituar atje mbetjet e të gjithë qytetit në një vendgrumbullim të paligjshëm. 

Banorët ankohen se po përballen me një situatë skandaloze dhe kërkojnë menjëherë largimin e mbetjeve nga lagjia e tyre.

"Çfarë jemi, jemi kafshë?"

"Mblidhen të gjitha dhe vijnë këtu ne. Po pse plehraxhi jemi ne që paguajmë të gjitha detyrimet e shtetit?!"

"Mbeturinat e krejt Durrësit mblidhen këtu, këtu është qendër e banuar, janë 200 familje. Era na qelbi. Kur ishte më ftohtë se kemi ndjerë por tani nuk durohet fare. Vijnë dhe i shkarkojnë natën."

Prej sot ka nisur transporti i mbeturinave drejt landfillit të Bushatit, një zgjidhje provizore kjo pas kolapsit të krijuar me Durrësin për shkak të refuzimit nga landfilli i Tiranës.

Në Nishtullë ishte dhe deputeti i zgjedhur i PD-së, Ferdinand Xhaferraj.

"Pastrimi i qytetit është dështimi më i madh, është dështimi ku bëhet bashkë arroganca, korrupsioni dhe paaftësia. Të gjithë jemi dëshmitarë që tre vite më parë u bë bashkë qeverisja qëndrore dhe ajo lokale dhe e shpallën Porto Romanon emergjencë mjedisore. Erdhi dhe deputeti i Durrësit Edi Rama. Sot pas tre vitesh shohim se i gjithë Durrësi është si ish-Porto Romano, i gjithë Durrësi është bërë për të shpallur emergjencën e vërtetë, kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes së Edi Ramës dhe jo ajo që thotë Rama në facebook.

Dje nga Vlora tha se ka vendosur të vijë në Durrës për ti dhënë Durrësit në dorë, kjo është dora që po i jep Durrësit bashkë me Adrian  Çelën, Çyrben dhe Rrahman Rrahjen. Nuk mjafton kjo, Velipoja është fytyra e mandatit të tretë, Drimadhasi dje.

Në këto vite kanë dëshmuar që dy punë i bëjnë shumë mirë. E para, një herë në katër vite punojnë shumë fort, i futen në shtëpi çdo familje shqiptare  dhe i dëshmojë me evidencë sesa të varfër jeni. Pasi mbarojnë zgjedhjet për katër vite nga dita në ditë, nga muaji në muaj, nga viti në vit na dëshmojnë me evidencë sesa të vjedhur jemi".