"Policia nuk ndan parcela", Cuçi për Velipojën: Nuk ka pasur denoncim për zaptimin e hapësirave
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka shmangur përgjegjësitë e policisë së shtetit në ngjarjet e fundit, ku 4 viktima mbetën në aksident dhe katër në përplasjen me armë në Velipojë.
Policia, tha ai, nuk mund të kontrollojë çdo makinë që qarkullon, dhe nuk mund të jetë në çdo konflikt mes fqinjëve.
Duke ju referuar rastit të Velipojës, Çuçi e kalon topin te Ministria e Turizmit.
Çuçi: Jo më pak skandaloze ka qenë edhe gjendja me marrjen në administrim të plazheve: Tanimë ka rregull e procedura transparente në ndarjen e tyre përmes shërbimit nga platforma e-Albania. Policia e Shtetit nuk ndan parcela plazhesh për administrim, po vetëm zbaton ligjin për mosprekjen e hapësirave të plazheve publike të cilat janë rikthyer njësoj si edhe mbrojtja policore ndaj ndërtimeve pa leje, pas dekadash xhungëlizimi të zonës bregdetare.
Përballë gazetarëve mohon të ketë pasur denoncim për zaptimin e hapësirave në zonën ku u vranë katër persona.
Çuçi: Nuk ka pas denoncim për shezllonet mund të ketë pasur ankimim se pse ja kemi dhënë këtë shezllon.
Megjithatë Ministri i Brendshëm shton se do të ketë ndryshim të drejtuesve të lartë të policisë në qarqe që do të shtrihet më pas edhe në çdo komisariat.
