Kabineti i Luigi Sorekës kërkoi forcimin e nivelit të sigurisë, ja pse Garda po mbron ambasadorin e BE-së

Prej 23 qershorit Garda e Republikës ka marrë në mbrojtje ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Ka qenë vetë ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian që ka kërkuar rritjen e nivelit të sigurisë informoi sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i pyetur sot nga gazetarët në konferencën për median.

“Kemi pasur një kërkesë nga siguria e Ambasadorit Soreka e në bazë të kësaj kërkesë shtuam nivelin e sigurisë. Pse ka ardhur duhet të pyesni kabinetin e ambasadorit” u shpreh ministri.

Në vendimin e publikuar 24 qershor në Fletoren Zyrtare theksohet që Garda do të ruajë Ambasadorin dhe objektet ku do të akomodohet apo ushtrojë veprimtarinë. Ky vendim nuk  u  publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave por nw Fletore Zyrtare.