Rama në Vlorë pa Lelin, inspekton punimet me zv/kryetarin e Bashkisë

Pas përballjes mes këshilltarëve dhe kryetarit të bashkisë së Vlorës në qytetin bregdetar ka zbritur dhe vetë kryeministri Rama.

Në inspektimin e punimeve në sheshin e Flamurit dhe rrugës  "Transballkanike" kreu i qeverisë Edi Rama nuk u shoqërua me Dritan Lelin por me zëvendësin e tij  Afrim Qendro.

Në materialin e shpërndarë për mediet kreu i qeverisë shprehet se pret që punimet të përfundojnë brenda  muajit korrik duke i dhënë një vlerë të shtuar turizmit.

Në sheshin e Flamurit  do të ketë 16 lloje të ndryshme palmash.

"16 lloje palmash, disa kanë qenë ekzistuese, mbi 80% do të shtohen të reja."

Për shembjen e godinës në qendër  të sheshit qeveria ka miratuar fondin prej 9 milionë eurosh të cilat do t'i përfitojë biznesmeni Sulo Shehu.

Kreu i qeverisë pritet të qëndrojë në Vlorë edhe ditën e nesërme, ku pritet të zhvillojë dhe një takim në teatrin "Petro Marko", në ambientet e të cilit këshilltarët e bashkisë ftuan për përballje Dritan Lelin.

Debati për largimin e Lelit nga bashkia nisi një muaj para zgjedhjeve parlamentare, pasi kryebashkiaku nuk pranoi të ishte pjesë e listës së deputetëve socialiste që arritën të  merrnin 8 mandate.