“Meritokraci për degët e mjekësisë”, edhe këtë vit me mënyrën e vjetër

Edhe për këtë vit për maturantët që kërkojnë të ndjekin një nga degët e mjekësisë nuk do të kenë rregulla të reja.

Aplikimi do të bëhet përmes formularit të zakonshëm.

Kjo formë thotë rektori i universitet të Tiranës nuk është gjithmonë e drejtë, pasi rreth 25% e studentëve të vitit të parë bien disa nota nga rezultati i gjimnazit.

Arben Gjata shprehet se kjo mund të rregullohet vetëm përmes konkursit për të fituar një degë në këtë universitet.

"Duam që këtë ta shtrijmë për të rritur meritokracinë, sepse kemi vënë re që ne marrim studentët më të mirë të Shqipërisë, por kemi studentë që kanë ardhur me nota shumë të mira nga gjimnazet, por na bien me 4-5 nota vitin e parë," tha zoti Gjata.

Mjekësia është një nga degët më të kërkuara mes të rinjve shqiptarë, e duke u nisur nga kërkesat e shumta, është menduar që edhe spitali memorial i Fierit të mund të kthehet në një hapësirë mësimore për studentët e mjekësisë.

"Faktikisht jemi duke biseduar me ministrinë e Shëndetësisë që të kthejmë edhe spitalin memorial të Fierit në bazë formuese për universitetin e Mjekësisë në mënyrë që të kemi mundësi ta shfrytëzojmë edhe atë hapësirë," tha Gjata.

Duke u nisur nga viti i vështirë i pandemisë, Arben Gjata thotë se këtë vit që vjen po mendon të ofrohen edhe praktika me mjekët roje për studentët, kjo për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga mësimi në distancë.

"Përveç programeve praktike që janë normale si cikle, i ofrojmë në mënyrë vullnetare dhe programe, pjesëmarrje në ekipet e rojës. Mjekësia është një avantazh që duke punuar gjithë jetën në mënyrë praktike arrin t'i kompensosh boshllëqet," tha Gjata.

Pasi të dalin edhe rezultat e provimit me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi të aplikojnë për një nga programet e studimit në universitet.

Këto institucione tashmë kanë publikuar kuotat dhe janë duke u marrë me organizimet për vitin e ri akademik.