Tre fshatra në Vlorë pa ujë të pijshëm prej 30 vitesh, peticion kryeministrit Rama: Vdiqëm, u thamë!

Banorët e Panajasë, Kërkovës dhe Oshtimës në Vlorë janë ngritur mëngjesin e sotëm në protestë në qendër të fshatit të Vlorës.

Arsyeja e protestës është mungesa e ujit të pijshëm në fshat i cili tashmë mungon prej 11 ditësh.

Banorët shprehen se kjo është një situatë sa herë që behari, por nuk mund ta përballojnë dot më këtë situatë.

Ata tashmë i kanë dërguar kryeministrit Rama një peticion ku i kërkohet që tre fshatrave t'i kthehet uji i pijshëm.

"Në muajt e verës ky është problem i madh. Që në mars e deri në shtator është problemi i ujit," thotë banori.

"Panajaja është pa rrugë, pa ujë. Ujë s'ka, çfarë të bëjmë. Për të pirë e blejmë, po për të larë nuk e blejmë dot. Të vish në shtëpi nuk gjen pikën e ujit. Vdiqëm, u thamë. Nuk është bërë asgjë," thotë banorja.  

"Ne si fshat kemi bërë një peticion drejtuar kryeministrit. Kemi 30 vjet pa ujë, ndërmarrja e ujësjellësit tallet me ne. Kërkesën në peticion e kemi vetëm për ujin," thotë banori.

"Është turp, 30 vjet ne vuajmë për ujë. Nëse vazhdon kjo situatë unë jam e mendimit të mblidhet gjithë fshati dhe të dalë në protestë. Kjo punë nuk varet nga bindjet politike," thotë banorja."