Durrësi qelbet nga mbetjet, kontenierët e papastruar plot 120 ton të bllokuara në kamionë

Kjo është pamja e Durrësit pasi koncensionari i landfillit të Sharrës nuk pranon prej disa ditësh mbetjet urbane në mes të sezonit turistik.

Qyteti është mbytur me plehrat që prodhon. Kontejnerët janë plot.

Nga qendra në periferi është e njëjta panoramë.

"Kudo që të shkosh, mbeturina ka."

Vetëm disa kazanë në zonën e plazhit të mbushur plot me pushues ishin pastruar.

Qindra tonë mbetje presin të shkarkohen në kamionë, që kur koncensionari i Sharrës i ktheu më pas me justifikimin se bashkia e Durrësit nuk ka kontratë.

Ndaj disa hapësira në pronësi të Drejtorisë së Pastrimit janë kthyer në venddepozitim për mbetjet urbane në periferi të qytetit.

Loja e koncensionarit të Sharrës që ka zënë mat Bashkinë e drejtuar nga kryetarja e komanduar ka irritur banorët e turistët.

"U bënë 2-3 javë që nuk zhduken mbeturinat nga aty."

"Të kalosh rrugës dhe të zësh hundët me dorë!"

Ky është kolapsi i dytë me pastrimin në Durrës brenda qershorit, ndërsa rrënjët e krizës shkojnë dy vite më herët kur u vendos mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos.

Durrësi qelbet nga mbetjet, kontenierët e papastruar plot 120 ton

Qershorin e  kaluar qyteti shpalli gjendjen e emergjencës dhe me ndërhyrjen e qeverisë u arrit një marrëveshje provizore me landfillin e Sharrës.

Ndaj më 10 qershor, Këshilli Bashkiak miratoi një skenar për menaxhimin e mbetjeve.

Sipas planit duhet të ndërtohet një sistem transferimi me vlerë 5.5 milionë euro dhe mbetjet do të depozitohen me tarifë porte tek koncesionari i Sharrës me vlerë 40.57 euro për ton gjatë një periudhe 20 vjeçare.

Duke përllogaritur shifrat nga tabela e mësipërme dhe të dhënat zyrtare, rezulton se Durrësi prodhon mesatarisht 75 500 ton mbetje në vit, kjo do të thotë se shërbimi do të kushtojë rreth 3 milionë euro në vit.

Ky plan i miratuar ka një afat 15-vjeçar, me kosto totale 45 milionë euro deri në vitin 2035.

Por edhe në këtë projekt fondet konsiderohen të papërballueshme, ndaj dhe është kërkuar ndihmë financiare prej buxhetit të shtetit.