Vera pa abone në Tiranë, qytetari detyrohet të ecë në këmbë, të tjerë ankohen për shërbimin: Po vdesim në autobusë
Elmaz Koçi prej disa javësh nuk e frekuenton transportin publik. Mungesa e aboneve dhe pamundësia për të paguar biletën për disa linja urbanësh e kanë detyruar të përshkojë në këmbë dhjetëra kilometra për të kryer detyrimet e përditshme.
Pavarësisht moshës dhe temperaturave të zjarrta ai thotë se nuk ka zgjidhje tjetër.
"Edhe tani në shtëpi në këmbë do të iki se nuk hipi dot në autobus, nuk e përballoj dot se pensionistë jemi ne."
Mungesa e aboneve të përgjithshme është kthyer në shqetësim për banorët e Tiranës, të cilët të premten e ngritën zërin në një protestë para Bashkisë.
"Ktheni abonetë!"
Vendimi i operatorëve privatë dhe bashkisë Tiranë ka rënduar më tepër xhepat e familjeve me të ardhura të ulëta.
"Kemi mbledhur mbi 11 mijë firma, punëtorë të qytetit, sanitarë, ku duhet të merrnin gati tre autobusë çdi ditë për të shkuar në punë dhe kjo bie drejtëpëdrejtë në xhepat e qytetarëve."
"Llogarit 2 urbanë nga 40 lekë, i takon 160 lekë në ditë. Plus që duhet të eci në këmbë."
"E kemi të domosdoshme abonenë e përgjithshme, nuk kemi leverdi të marrim 2-3 abone nëpër linja".
Ankesa ata kanë edhe për mungesën e kushteve në urbane, sidomos gjatë stinës së verës.
"Duke qenë se autobusët vijnë me orar të reduktuar kjo bën që të ketë shumë njerëz në autobusë, kushtet janë skandaloze".
"Këta po bëjnë eksperimente me ne, po vdesim nëpër autobusë, po na sterroset jeta.Po asfiksohen njerëzit, po u bie të fikët në autobus. Ka njerëz aq shumë dhe vijnë autobusët aq rrallë".
"Përpos nxehtësisë që është në maksimum kanë vendosur dhe reklama që nuk di se ku do të zbresësh."
"Le të vijë një ditë Erion Veliaj me ne dhe ta provojë të hipë në urban, vetëm kaq".
Kërkesat dhe zemërimin shprehur në pankarta, aktivistët dhe protestuesit i lanë në bashkinë e Tiranës për tu kujtuar drejtuesve se do të kthehen nëse shqetësimit të tyre nuk u jepet zgjidhje.
