Parlamenti, “vetting” pa opozitën, dy anëtarët zgjidhen 3 ditë para mbylljes se legjislaturës

Parlamenti po shfrytëzon ditët e fundit të mandatit për të kaluar vendimmarrje të rëndësishme.

Përveç votimit në kohe rekord të kryetarit të ri të AMA-s, më 5 korrik maxhoranca do të zgjedhë edhe dy komisionerë të rinj në institucionet e drejtësisë.

Në mungesë të opozitës, për këto nisma nuk ka asnjë pengesë. Këtë të premte komisioni i posaçëm parlamentar vendosi procedurat për zëvendësimin e vakancave në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe në Komisionerin Publik.

Deputeti Ulsi Manja sqaroi dhe arsyet e zëvendësimit të dy anëtarëve në organet e vetingut.

"Sot jemi në situatën që ky komision do të përzgjedhë 2 kandidatë për 2 vakancat e krijuara në radhët e zëvendësuesve. Një zëvendësues i dytë në komisionin e Pavarur të Kualifikimit për shkak të dorëheqjes të parevokueshme për shkak të kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit, zotit Pal Shkëmbi. Një zëvendësues i parë për komisioner publik për shkak të shkarkimit nga detyra të komisionerit Erald Saraçi i cili është zëvendësuar në këtë detyrë nga Dariel Sina. Këto do të bëjë ky komision. Lista për votim do të miratohet në datën 2 korrik," tha Manja.

Manja propozoi gjithashtu qe para kalimit të emrave në seancë, kandidatët dhe shorti elektronik të mbyllen më 2 korrik, me argumentin, siç tha ai, të testimit të pajisjes së re .

Plotësimi i vakancave në strukturat e vettingut mundëson edhe shtimin e një anëtari në Gjykatën e Lartë, por miratimi nga parlamenti 3 ditë para mbylljes se legjislaturës, ul besueshmërinë e votës së ligjvënësve në kushtet kur opozita nuk është aty.