Debati për 30 qershorin, Presidenca: A kishte garë në 2019? Kuvendi e Qeveria: Ademi nuk është më kryetare
Zgjedhja e Pjerin Ndreut në krye të Shoqatës së Bashkive, është kthyer në argumentin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 2019. Para Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi dhe qeveria, deklaruan se Presidenti nuk mund të shtyjë datën e zgjedhjeve. Në të kundërt Ademi dhe përfaqësuesi i Kreut të Shtetit theksuan se dekreti për anulimin e 30 qershorit është ende në fuqi.
Gjykata Kushtetuese mori zyrtarisht në dorë fatin e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019.
Gjyqtarët në një seancë maratonë kanë dëgjuar si fillim argumentat e Shoqatës së Bashkive, e cila drejtohet nga demokratja Voltana Ademi që kërkon shpalljen antikushtetues të procesit elektoral të 30 qershorit.
Në themel të padisë së kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, është dekreti i presidenti Meta, i cili i shtyu zgjedhjet nga 30 qershori në 13 tetor.
Sipas juristit, Jordan Danci, dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve është në fuqi pasi asnjë organ nuk e ka shfuqizuar, dhe për këtë arsye procesi i 30 qershorit është në shkelje të Kushtetutës.
Një tjetër argument i tij është edhe fakti që në 30 bashki nuk kishte garë, pasi në zgjedhje mori pjesë vetëm 1 kandidat.
Por edhe aty ku kishte kandidatë, procesi sipas juristit Daci është i paligjshëm për faktin se Bindja Demokratike është regjistruar në shkelje të afateve kushtetuese.
Thuajse me të njëjtat argumenta ishte edhe përfaqësuesi ligjor i Presidencës, i cili ngriti pyetjet nëse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, garantuan garë? I dhanë mundësinë qytetarëve të votojnë për alternativë? Dhe a u garantua fshehtësia e votës apo liria e votuesit?
Juristi Dervishi tha se edhe Komisioni i Venecias ja ka njohur të drejtën Presidentit për dekret e kjo gjatë debatit në Komisionin Hetimor kur u kërkua shkarkimi i tij pikërisht për këtë çështje.
Përfaqësuesi Presidentit, tha se Ilir Meta shmangu një konflikt civil, duke u ofruar palëve mundësine e uljes në diskutime.
Zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 ishin zgjedhjet e para në 3 dekada që u bojkotuan nga PD dhe LSI, duke bërë që PS të fitonte të gjitha bashkitë në vend.
Përfaqësuesja e qeverisë para trupës kërkoi pezullimin e diskutimit për shkak se Voltana Ademi nuk është më kryetare e shoqatës.
Për shkak se zëvendësimi i saj me Pjerin Ndreun është në gjykatë, Elira Kokona kërkoi që çështja të shtyhet, çka u refuzua nga gjykata.
Madje më tej Kokona kërkoi rrëzimin e padisë për shkak se kushtetuesja nuk ka juridiksion të shqyrtojë kërkesën e shoqatës.
"Nuk mundet një shoqatë që të kryesohet e përfaqësohet nga ish-kryetari. Jemi në kushtet kur shoqata përfaqësohet nga një avokat i autorizuar nga ish-kryetari.Jemi në kushtet e mungesës së përfaqësimit në këtë seancë. Në vitin 2019 është kryer një proces zgjedhor që nuk ka pasur ndalesa ndaj subjekteve zgjedhore dhe votuesve.Kryetari i shoqatës nuk mund të jetë një ish-kryetar. Sot kërkuesi nuk ka tagër të jetë në seancë".
Me të njëjtin argument u paraqit dhe përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbri, e cila shtoi se Presidenti ka në detyrë të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo anulimin.
Të përfshirë në çështje ishin dhe përfaqësuesit e Partisë Bindja, të cilët sqaruan pozicionin e tyre sa i përket regjistrimit në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
