Lirohet nga burgu babai i autorit të vrasjes së Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt

Gjykata liron nga qelia babain autorit të vrasjes së 2 kushërinjve në parcelën e Drogës në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, Rrok Pepaj.

Ka qenë gjykata e Shkodrës ajo që firmosi lirimin e babait të Danjel Pepajt i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt.

I arrestuari i vetëm për ngjarjen, ra në pranga 3 ditë pas vrasjes së 2 kushërinjve, në tetor 2020.

Rrok Pepaj u akuzua për kultivim të bimëve narkotike, por avokati e konsideroi arrestimin të padrejtë, ndërsa çështja shkoi me rekurs në Gjykatën e Lartë ku kjo e fundit ka vendosur rikthimi e çështjes në Shkallën e parë.

Pepaj është detyruar të pranojë se kishte dijeni për parcelën e kanabisit ku edhe u vranë 2 të rinjtë, ndërsa nuk janë gjetur prova se ai ka qenë posedues i tyre.

Sipas gjykatës, për këtë arsye është bërë edhe lirimi nga burgu ndërkohë që çështja e tij është hetuar e ndarë me atë te djalit të tij Danjel Pepës që është në kërkim prej 9 muajsh me akuzën e vrasjes dhe kultivimit të bimëve narkotike.