Viktima të diktaturës/ 4500 të zhdukur pa varr, kërkohet të krijohet parcela e kujtesës në Tiranë
Pëfaqësuesit e unionit të të përndjekurve politikë kërkojnë krijimin e një parcele përkujtimore për 4500 personat e zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.
Besim Ndregjoni, president i unionit të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë tha se pas 30 vitesh ka një heshtje të politikës dhe drejtësisë, ndërsa shtoi se krijimi i një hapësire përkujtuese për personat që nuk kanë një varr është detyrim.
"4500 familje shqiptare ka 30 vite që luten për të pasur një varr dhe atë varr nuk e kanë. Do ndërtojmë një parcelë kombëtare të kujtesës pas Universitetit shtetëror të Tiranës, ku emrat e 4500 të zhdukurve të rreshtohen në pishtarët e lirisë," tha Ndregjoni.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare e përshëndetën këtë iniciativë në shenjë kujtese për personat të cilëve regjimi u mori jetën në mënyrë makabre.
"Kur humb varri, humb dhe kombi, humb gjithçka. Unë uroj që bashkërisht ta realizojmë këtë ëndërr të njerëzve që nuk e kanë varrin."
"Unë i përgëzoj për një iniciativë të tillë për ngritjen e kësaj parcele dhe zëri juaj mendoj të jetë akoma më i fortë përballë Tiranës zyrtare për të marrë të drejtat tuaja."
"Shteti duhet të bëjë diçka, ne solidarizohemi me këtë iniciativë."
Familjarët e 4500 të zhdukurve luten çdo ditë për një varr ku mund të ndezin një qiri në nder të të rënëve ndaj edhe të përndjekurit theksuan se krijimi io këndit përkujtimor kërkon vëmendje nga institucionet.
