Aktivistët i dorëzojnë bashkisë Tiranë 11 mijë firmat për kthimin e aboneve të përgjithshme
Qytetarët dhe shoqëria civile dorëzuan në bashkinë e Tiranës peticionin me 11 mijë firma ku kërkohet rikthimi i abonesë së përgjithshme. Aktivistët e Organizatës Politike dhe përdoruesit e transportit urban i kanë lënë afat kohor Bashkisë 3 ditë për plotësimin e kërkesave të tyre, në të kundërt paralajmëruan fillimin e protestave.
Rreth 11 mijë nënshkrime të mbledhura për rikthimin e abonesë së përgjithshme dhe rritjen e cilësisë së transportit urban u dorëzuan nga Organizata Politike në Bashkinë Tiranë.
Nisma u finalizua me protokollimin e kërkesës gjatë paradites së të hënës.
Përfaqësuesit e Organizatës Politike i kanë lënë afat kohor 3 ditë Bashkisë për një reagim të saj.
Aktivistët risollën edhe njëherë në vëmendje kërkesat e tyre për shkak të gjendjes së shërbimit urban në kryeqytet.
"Dorëzuam peticionin e nënshkruar nga më shumë se 11 mijë qytetarë që kërkojnë rikthimin e aboneve,rritjen e cilësisë së shërbimit, përgjysmim të tarifave të abonesë së përgjithshme për të papunët pensionistët apo punëtorët me pagë minimale. Nëse deri ditën e enjte bashkia Tiranë nuk denjon të përgjigjet ne do të protestojmë ditën e premte para këtyre dyerve."
Edhe qytetarët si përdorues të transportit urban ishin të pranishëm në dorëzimin e firmave të mbledhura.
Ata cilësuan edhe njëherë abuziv vendimin për heqjen e abonesë së përgjithshme.
"Ky vendim është i mbrapshtë për të gjithë popullin e Tiranës."
Vendimi për heqjen e aboneve të përgjithshme për 3 muajt e verës solli reagime të forta nga qytetarët, por pas peticionit tanimë pritet një përgjigje nga ana e Bashkisë.

