Vrasja e dy biznesmenëve në Kurbin, Gjykata kthen për plotësim dosjen e Prokurorisë për 4 të dyshuarit
Më shumë se një vit nga ekzekutimi dy biznesmenëve Paulin Gjergji e Bujar Lika, ngjarja e ndodhur në maj të vitit 2020 në Kurbin nuk kalon për gjykim. Gjykata e Kurbinit ka kthyer për plotësim dosjen hetimore të prokurorisë që për ngjarjen ka vënë nën akuzë katër persona.
Gjykata e Kurbinit kthen për plotësim dosjen hetimore në ngarkim të katër personave të akuzuar për vrasjen e biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit 2020.
Pas shqyrtimit të dosjes në seancën paraprake, togat e zeza i kanë kërkuar organit të akuzës të plotësojnë hetimin, duke i dhënë afat deri më 30 qershor.
Prokuroria e Kurbinit, ka mbyllur hetimet në muajin janar, ndërsa ka ngritur akuzat "Vrasje kryer në bashkëpunim" dhe "Armbajtje pa leje" ndaj katër të dyshuarve.
Eduart Lamaj, sipas dosjes hetimore ishte ekzekutori ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi e ndihmuan.
Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan më 30 majit të vitit 2020, brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras.
Autorët sipas pamjeve të kamerave të sigurisë mbanin veshje të ngjashme me ata të Policisë së Shtetit.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur dhe njëri nga autoret e ngjarjes, Eduart Lamaj, por bashkëpunëtorët arritën ta largojnë nga vendngjarja.
Për mjekimin e tij në një klinike private në Tiranë janë marrë të pandehur dhe dy mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku, por çështja e tyre është veçuar.
Edhe pse prokuroria e Kurbinit ka katër persona të dyshuar për vrasjen e dyfishtë, motivet jane ende të paqarta.
Dyshimet janë se qëllimi ishte grabitja e biznesmevë, por plani shkoi keq dhe përfundoi me vrasje.

