Dita e liqenit të Ohrit bën bashkë kryetarët e 3 bashkive që kanë dalje në të

Dita e Liqenit të Ohrit bëri bashkë kryetarët e tre bashkive që kanë dalje në të. Drejtuesit vendorë të Pogradecit, Strugës dhe Ohrit u mblodhën për të diskutuar në lidhje me problematikat e kësaj pasurie natyrore të përbashkët, por edhe projektet ndërlidhëse.

Kryetari i Bashkisë së Ohrit, Kostandin Gerorgevski, e vuri theksin tek unifikimi i ndërtimeve përgjatë bregut, në mënyrë që çdo punim të jetë konform planit rregullues të miratuar nga UNESCO.

"Një ndër çështjet më sensitive që diskutuam është UNESCO, dhe urbanizimi i të tre qyteteve. Ne Republikën e Maqedonisë së Veriut ne kemi një plan për menaxhimin e ndërtimeve pa leje, dhe i njëjti plan vlen edhe për strugën dhe për Pogradecin. Ne si komunë e Ohrit, kemi shembur ndërtimet pa leje buzë liqenit. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe në Strugë, dhe këtu në Pogradec," tha Gerorgevski.


Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, tha se njësitë vendore duhet të angazhohen për të jetësuar linjat ujore të transportit.

"Nuk e kritikova, thashë duhet të përqendrohemi se është në të mirën e përbashkët të të treja bashkive që njerëzit të lëvizin nëpërmjet liqenit," tha Xhakolli.

Nga ana tjetër, kreu i bashkisë së Strugës, Ramiz Merko nënvizoi rëndësinë e mirëmbajtjes.

"I gjithë bregu i liqeni është populluar nga kallami, por kallami nuk ka ekzistuar në ato sipërfaqe para 20 apo 30 vitesh," tha Merko.

Gjatë 30 viteve të fundit të tria bashkitë kanë pasur takime të shpeshta, por ka munguar bashkëpunimi konkret sa i përket turizmit në pellgun e liqenit të Ohrit.