"Investimi 125 mln euro nuk mund të jetë në duar të paafta", Rama: Brenda 2021 furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm

Mëngjesin e kësaj të hëne, 21 qershor kryeministri Edi Rama, mori pjesë në inaugurimin e godinës së re të Ujësjellës-Kanalizimeve në qytetin e Kamzës.

Ky investim, vjen si rezultat i bashkëpunimit mes BE, Zvicrës dhe Gjermanisë. Kryeministri u shpreh se furnizimi me ujë të pijshëm është një program jetik për shoqërinë.

Sipas zotit Rama, brenda vitit 2021 do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në pjesën më të madhe të zonave urbane.

Rama: "Është një nisje e mirë e javës këtu në Kamëz, ku jemi mbledhur me një grup që përfaqëson të gjithë partnerët që ne kemi në Evropë, BE, qeverinë gjermane dhe qeverinë zvicerane. Furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë territorin duke i dhënë fund një historie jo vetëm 3 dekadash të pluralizmit, por qindra vjeçare sepse faktikisht furnizimi me ujë të pijshëm nuk ka qenë i siguruar 100% për gjithë qytetarët.

Sot ne kemi mbi 100 kantierë në territor ku punohet për sisteme të reja dhe në një pjesë të tyre punohet së bashku me partnerët. Këto janë investime në sisteme të paprekura që në vitet '60-'70. Për fat të keq në periudhën e tranzicionit shumë fonde dedikuar furnizimit me ujë të pijshëm u copëtuan në segmente interesash elektorale, duke mos arritur kurrë që të investohet për një vizion dhe projekt të integruar. Brenda këtij viti do ë kemi 24 orë ujë të pijshëm në një masë të madhe të qendrave të Shqipërisë. Investimi në total shkon  125.6 milion euro dhe është një investim jashtëzakonisht masiv dhe nuk mund të mbetet në duar të paafta. Reforma e ujit ka nevojë për një shtytje tëre përpara. Ndërmarrje e ujësjellësit nuk mund të mbahen me miell hua."