Në Durrës e Fier, Rama dhe Kryemadhi zgjedhin qarqet ku do të jenë deputetë

Kryetarja e LSI-së ka vendosur të zgjedhë të marrë mandatin e deputetit në Fier. Tashmë ajo ka depozituar kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas kodit të ri zgjedhor, kryetarët e partive mund të kandidonin në 3 zona, dhe pas shpalljes së rezultatit do të zgjidhnin se cilën zonë do të përfaqësonin në parlament.

Me këtë veprim mbetet jashtë liste Kejdi Mehmetaj, e cila ishte renditur e dyta në qarkun fier ku mori 712 vota në emër të saj nga 12312 që LSI mori në total.

Tashmë do të duhet që KQZ të marrë dhe vendimin përfundimtar se si do të renditen emrat e deputetëve të LSI në Tiranë.

Me 27945 vota, LSI arriti të merrte dy mandate, ku lista kryesohet nga Monika Kryemadhi, e dyta Erisa Xhixho tashmë e konfirmuar me 1066 voa, i treti Petrit Vasili  dhe e katërta Klajda Gjosha.

Sipas kodit zgjedhor, listën e thyen kandidati që kalon herësin e marrë nga partia, gjë që në rastin konkret nuk është arritur, duke bërë të mundur që në Kuvend të jetë Vasili.

Ndërkaq dhe kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përfaqësojë zgjedhësit në Durrës aty ku mori 15 871 vota rreth 4 mijë më shumë se në Vlorë. Në durrës pas tij renditej Ana Dhamo.

Pas këtij vendimi mandatin në Vlorë e merr Teuta Ramaj e cila ishte renditur e nënta në Vlorë dhe ku mori 1738  vota. Tashmë do të jetë KQZ që do të miratoje dhe listën e deputetëve që do të ulen në parlament në shtator.