Plagosja e biznesmenit në Sarandë, arrestohet një nga autorët, në kërkim dy vëllezërit

Arrestohet një nga autorët e sulmit ndaj biznesmenit të lokaleve të natës, Spiro Iljadhi në Sarandë, ku mbeti i plagosur aksidentalisht edhe një turist.

Në pranga ka përfunduar Redjan Hadëri.

33 vjeçari me precedentë penale, akuzohet si bashkëpunëtor i vëllezërve Andrea Caushi e Visi Caushi, të cilët mbeten ende në kërkim.

Në dëshminë e parë Hadëri ka pranuar ishte i përfshirë në ngjarje, por mësohet se ka deklaruar se ishin dy vëllezërit Caushi që qëlluan ndaj lokalit të natës në Sarandë.

Detaje të reja ndërkohë janë mësuar mbi dinamikën e ngjarjes që rrezikoi të prodhojë një tragjedi në orët e para të së dielës.

Burimet thonë se Dy vëllezërit Caushi dhe miku i tyre Hadëri, që të tre banorë të Tepelenës u nxorën nga lokali i natës nga roja i sigurisë pas një sherri.

Më pas ata kanë nisur të qëllojnë ndaj lokalit dhe automjetit të biznesmenit i cili mori disa plumba në bark.

Mes breshërisë së Kallashnikovit u gjend edhe një turist i identifikuar si Marin Jano që ndodhej në Sarandë për pushime.

Policia është treguar e rezervuar në detaje, duke konfirmuar vetëm faktin se atentati ndaj biznesmenit pasoi një konflikt të çastit për motive të dobëta.

Biznesmeni 35 vjeçar u soll me helikopter në Tiranë, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Sarandës thotë së ndërkohë vijon aksionin për arrestimin e vëllezërve Andrea e Visi Caush.